Kështu foli opozita

| 10 Mar 2022 | 19:48 | Nga

Pas një heshtjeje të pakuptueshme, protagonistëve të një pjese të opozitës, iu ra ndërmend që më në fund duhet të reagojnë për krizën e çmimeve. Dhe atë në mënyrën të çuditshme. Sa për të thënë që edhe ne u angazhuam për këtë temë. Me një prezantim që më shumë ishte copy paste i masave që i ka ndërmarr dje Maqedonia e Veriut, se sa një alternativë serioze.

Adresimi qe i ftohtë. Burokratik. Sikur të bëhej fjalë për nominimin e kryetarit të forumit rinor të një nëndege partiake dhe jo për ta trajtuar njërin nga manipulimet më te pashembullte në “ekonominë e lirë” të Kosovës. Mungesë totale e solidaritetit me panikun dhe ankthin shoqëror që e ka shkaktuar kjo krizë. Ndonëse, janë të mirëseardhura ato propozime, që prapë po them shumica ishin copy paste, megjithatë, një opozite serioze nuk reagon në këtë mënyrë te qulltë. Pa sens politik. Dhe me një gjuhë të thatë pseudo-teknokratike.

Një opozitë e mirëfilltë është dashur që të mobilizohet me të gjitha forcat që i ka në dispozicion, që kur filluan luhatjet në këtë sektor. Ta parashtroi kërkesën për seancë të jashtëzakonshme parlamentare. Ta shtoi presionin publik mbi qeverinë. Dhe të kërkoi masa radikale në mbrojtje të konsumatoreve. Sepse, ky fluturim i çmimeve, sidomos për vajin, nuk erdhi si pasojë e ngritjes tij në tregun ndërkombëtar, por siç e dëshmuan media të caktuara, u orkestrua nga oligarkë të kompanive të caktuara. Prandaj, një opozitë që vepron sipas detyrave të saj dhe që pretendon t’i mbrojë qytetarët e braktisur nga pushteti, është dashur që në Kuvend t’i përmend më emra, t’i denoncojë kompani të tilla dhe ta shtronte për miratim një rezolutë, ku do të kërkohej intervenimi urgjent i mekanizmave shtetërorë ndaj tyre që e prodhuan këtë mashtrimi epokal. Dhe pas këtij aksioni të flitet për masat konkrete se si në të ardhmen të mbrohet qytetari i Kosovës.

Por, ajo e heshti pikërisht zemrën e Akilit të problemit. Nuk e adresoi asnjërën prej këtyre çështjeve. Çfarë tregon se edhe opozita është e kapur nga të njëjtit mogulë tregtarë, nga të cilët mund të jetë i kapur edhe pushteti. Dhe se janë të njëjtit që nesër ua sponsorizojnë fushatat elektorale të dy palëve, pikërisht nga stër-përfitimi që e korrën sot në saje të këtij mega-mashtrimi dhe terrori psikologjik që e ushtruan mbi kurrizin e qytetarëve të Kosovës

Mbase kjo është arsyeja që edhe opozita heshti. Nuk i përmendi fare. Dhe s’e foli asnjë fjalë. Thuajse kjo ngritje astronomike e çmimeve të ishte produkt i forcave kozmike dhe jo rezultat i vendimeve të individëve konkretë që operojnë në tregun e Kosovës.

Rrjedhimisht, të propozosh masa sikur se, heqja e TVSh-së, apo veprime tjera, pa kërkuar paraprakisht llogari dhe përgjegjësi për këtë abuzim, do të thotë të operosh brenda së njëjtës logjikë sikur deri më tani, të dëmtohet kuleta e shtetit dhe e qytetarit e të pasurohet xhepi i disa individëve privatë të lidhur me politikën.

Të ngjashme