Refuzohet padia në rastin ku paditësit kërkonin 100 mijë euro kompensim dëmi nga Gazeta “Blic”

| 15 Jan 2023 | 14:08 | Nga

Departamenti i Përgjithshëm i Gjykatës Themelore në Prishtinë, e ka refuzuar në tërësi si të pabazuar padinë në rastin ku Ferdije Etemi, në cilësinë e kryetares së Këshillit Shtetëror të Cilësisë dhe Basri Muja, në cilësinë e drejtorit ekzekutiv të Agjencisë Kosovare të Akreditimit, e kanë paditur për shpifje dhe fyerje Gazetën “Blic” dhe kryeredaktorin e kësaj gazete Ardian Çollaku, duke kërkuar kompensim dëmi në vlerë prej 100 mijë euro, pra për secilin nga paditësit nga 50 mijë euro.

Sipas vendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, të 9 nëntorit 2022, gjykata me rastin e vendosjes ka vlerësuar të gjitha provat dhe pretendimet nga padi dhe përgjigjen në padi, mirëpo të njëjtat ka konsideruar se nuk ishin me ndikim për një vendim më ndryshe, andaj ka vendosur si në dispozitiv të këtij vendimi.

Sipas këtij vendimi, në vlerësimin përfundimtar të gjykatës në këtë çështje juridike nuk ishin kontestuese publikimet- artikujt e shkruar në portalin e të paditurës së parë Gazeta “Blic”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Kontestuese në këtë çështje ishte baza juridike e kërkesëpadisë, respektivisht nëse artikujt në fjalë kishin përmbajtje shpifëse dhe fyese ndaj paditësve, gjë që do të ishte bazë për kompensimin e dëmit”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Nga të gjitha faktet e administruara, pretendimet e palëve ndërgjyqëse dhe bazën ligjore, gjykata ka ardhur në përfundim se kërkesëpadia e paditësve duhet të refuzohet si e pabazuar.

Gjykata ka vlerësuar se deklaratat e publikuara nga e paditura e parë nuk ishin sulm personal kundrejt figurës së paditësve, që përfshijnë shprehje veçanërisht fyese për personalitetin e tyre.

Në vendim thuhet se gjykata në artikujt e publikuar nuk ka gjetur ndonjë referim të fjalëve fyese deri në atë masë sa nuk do t’i shërben nevojës për diskutim publik dhe publikimet nuk bien në kundërshtim me elementet bazë të lirisë së shprehjes dhe nuk është sulm ndaj të drejtave themelore të personalitetit të paditësve.

“Mbi bazën e të lartcekurave është krijuar një pasqyrë e qartë nga e cila rrjedhë se kërkesëpadia e paditësve është e pabazuar, për shkak se nga provat të cilat gjenden në shkresa të lëndës në mënyrë të pa kontestuar është vërtetuar fakti se në këtë rast nuk kemi të bëjmë me shpifje dhe fyerje, pasi që deklaratat e bëra nga ana e të paditurës nuk i përmbushin elementet ligjore për t’u konsideruar si shpifje dhe fyerje.

Sipas padisë së 25 qershorit 2014, paditësja Ferdije Etemi në cilësinë e kryetares së Këshillit Shtetëror të Cilësisë dhe Basri Muja në cilësinë e drejtorit Ekzekutiv të Agjencisë Kosovare të Akreditimit, kanë ushtruar padi për shpifje dhe fyerje ndaj Gazetës “Blic”.

Sipas padisë, thuhet se e paditura duke keqpërdorur pozitën e saj si medium, duke shkelur Kodin Etik të Gazetarisë, me anë të shpifjeve dhe të pavërtetave lanson për opinionin publik informata jo të vërteta, të cilat dëmtojnë rëndë integritetin dhe prestigjin e paditësve.

Mbi këtë bazë, të njëjtit po kërkojnë kompensim dëmi në vlerë prej 100 mijë euro, pra për secilin nga paditësit nga 50 mijë euro, kjo bashkë me kamatë prej 10%, po ashtu nga e paditura kërkojnë edhe shpenzimet e procedurës dhe t’i kërkojnë falje publike për shpifje dhe cenim të autoritetit të tyre.

Lidhur me këtë rast, paditësit Basri Muja dhe Ferdije Etemi kanë parashtruar precizimin e padisë ne aspektin subjektiv, ashtu që si i paditur në këtë çështje kontestimore do të jetë edhe kryeredaktori i Gazetës “Blic”, Ardian Çollaku.

Ndërsa, në anën tjetër sipas përgjigjes në padi të 10 qershorit 2019, Gazeta “Blic”, ka kundërshtuar kërkesëpadinë dhe padinë e paditësve, duke kërkuar nga gjykata që të njëjtën ta hedhë poshtë si të pathemeltë dhe të detyrohen paditësit Etemi dhe Muja që t’i paguajnë të gjitha shpenzimet procedurale.

Të ngjashme