Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka prezantuar raportin me titull “Planifikimi (Jo) adekuat i Qeverisë”, i cili është rezultat i monitorimit të drejtpërdrejtë dhe sistematik që IKD i ka bërë Qeverisë së Republikës së Kosovës në lidhje me përmbushjen e Programit Legjislativ për vitin 2022, raporton Ekonomia Online.
Sipas IKD-së, Qeveria e Kosovës ka miratuar gjithsej 21 koncept dokumente nga 71 sa kishte planifikuar, apo më pak se 30% të planifikimeve deri në fund të vitit 2022.
Autori i këtij hulumtimi, Naim Jakaj, ka thënë se përkundër ndryshimeve të shpeshta në programin legjislativ, nuk janë miratuar as gjysma e projektligjeve të planifikuara.
“Deri në fund të vitit 2022, Qeveria e Kosovës ka miratuar gjithsej 21 koncept dokumente nga 71 sa kishte planifikuar, apo më pak se 30% të planifikimeve. Në gjashtë raste, IKD ka gjetur se me rastin e draftimit të këtyre dokumenteve, nuk janë respektuar obligimet lidhur me konsultimet publike”.
“Në mungesë të një planifikimi adekuat, po gjatë vitit 2022, Qeveria e ndryshoi dhe plotësoi programin legjislativ plot nëntë herë. Kështu, gjatë vitit 2022, Qeveria pati më tepër plan mujor se sa vjetor”.
“Përkundër ndryshimeve të shpeshta, Qeveria gjatë vitit 2022 nuk ka arritur që të miratojë as gjysmën e projektligjeve të planifikuara, duke përmbushur agjendën legjislative vetëm 41.5%, përkatësisht duke miratuar 71 nga 171 projektligjet e planifikuara. Nga 71 projektligjet e miratuara: 39 janë miratuar sipas planifikimit ndërsa 32 projektligje janë miratuar duke mos e respektuar afatin e planifikuar. Ndërsa, përkundër faktit se Qeveria ndryshoj plot nëntë herë agjendën legjislative, të cilën e përmbushi vetëm 41.5%, në tri raste ajo e injoroj këtë agjendë, duke miratuar projektligje të pa planifikuara”, ka thënë Jakaj.
“Nga 71 projektligjet e miratuara në Qeveri, IKD ka gjetur se 48 prej tyre është dashur ti nënshtrohen procesit të konsultimit publik, derisa ky obligim nuk ka vlejtur në raport me 23 projektligje që kanë të bëjnë me ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Nga 48 projektligjet për të cilat Qeveria ka qenë e obliguar që të zhvillojë konsultime publike, Qeveria e ka përmbushur këtë detyrim në 29 raste, derisa këtë nuk e ka bërë në 19 raste. Shprehur në përqindje, Qeveria nuk e ka përmbushur këtë obligim në afërsisht 40% të rasteve”, tha Jakaj.
Ai pati vërejtje edhe në miratim të Projektligjeve nga Kuvendi. Thotë se vetëm 21 për qind e tyre janë miratuar në shqyrtim të dytë.
“Krahasimisht me numrin e projektligjeve që Qeveria ka planifikuar të miratojë, Kuvendi ka miratuar në shqyrtim të dytë vetëm 21.05% të tyre. Kështu, pjesa tjetër e projektligjeve të miratuara në Qeveri të cilat nuk janë miratuar nga Kuvendi, konsiderohen të përfunduara në Qeveri, por se miratimi i tyre nuk ka ndodhur ende. Në anën tjetër, gjatë vitit 2022, IKD ka gjetur se Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka respektuar Kushtetutën me rastin e miratimit të ligjeve në Qeveri. Fatkeqësisht, disa nga këto projektligje edhe janë miratuar në Kuvend deri disa të tjera janë duke u trajtuar nga institucione të tjera, si Avokati i Popullit apo Gjykata Kushtetuese”, tha tutje Jakaj.
