Albin Kurti pretendon se demonstrata e 10 shkurtit 2007 detyroi Ahtisaarin ta shtojë rekomandimin për pavarësi të mbikëqyrur

| 10 Shk 2023 | 13:01 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Familjarë dhe aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, me rastin e 16-vjetorit të rënies, kanë përkujtuar Arben Xheladinin dhe Mon Balajn, të vrarë në protestën e 10 shkurtit të vitit 2007, raporton Ekonomia Online.

Me këtë rast janë bërë homazhe në vendin e rënies së aktivistëve, në sheshin “Nëna Terezë”, ku edhe për nder të tyre është ngritur një pllakë përkujtimore.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendësi i tij, Besnik Bislimi, kanë vendosur kurora me lule pranë pllakës përkujtimore, me ç’rast kërkuan drejtësi për vrasjen e tyre.

Nga aty, kryeministri Kurti numëroi plumbat që janë shprazur në drejtim të aktivistëve të kësaj partie, të cilët protestonin kundër planit të Ahtisaarit.

Ai tha se ky plan nuk ishte i drejtë sepse përmbante komuna të reja me baza etnike, autonomi për manastiret, të drejten e vetos së deputetëve serbë në kuvend si dhe pjesëmarrjen e Kosovës në borxhet e jashtme të Serbisë.

“Para ‘Skënderbeut’ na ndali kordoni i policisë. Dy ditë më herët u shfaq plani i Ahtisaarit. Ne ishim të pakënaqur sepse ishim të bindur që Kosova meriton më shumë dhe s’duron padrejtësitë. Plani i Ahtisarit nuk ishte i drejtë sepse aty kishte komuna të reja me baza etnike, autonomi për manastiret, e drejta e vetos së deputetëve serbë në kuvend, pjesëmarrja e Kosovës në borxhet e jashtme të Serbisë”.

“232 plumba u shpërndanë nga UNMIK-u, asgjë nuk shihej nga lotsjellësi. UNMIK-u e shfrytëzoi autoritetin ndërkombëtar. Pas asaj demonstrate u shtua rekomandimi për pavarësi të mbikëqyrur”, tha Kurti, teksa përmendi edhe aty kundërshtitë për themelimin e Asociacionit.  

“Kurrë nuk ka qenë më e diskutuar nëse ja ka vlejtë komunat me baza etnike, prandaj Beogradi kërkon me ngulm ‘Zajednicën’. Këtë se dojnë serbët e Kosovës, po Serbia. Te serbët në Kosovë s’ka pluralizëm politik, kjo po lind me qeverinë tonë, prandaj Serbia është në panik, duan ta shpallin një kryetar ‘Zajednice’ dhe me të ta shkelin ministrin serb në Kosovë”.

Fjala e plotë e Kryeministrit Albin Kurti, mbajtur para pllakës përkujtimore të Arben Xheladinit dhe Mon Balajt në bulevardin “Nëna Terezë”:

Të nderuar familjarë të Arben Xheladinit dhe të Mon Balajt,
Të nderuar deputetë e ministra,
Kryeparlamentar Konjufca,
Qytetarë të Republikës e anëtarë të Lëvizjes,

15 vjet të shpalljes së pavarësisë së Kosovës mbushen sot një javë, por 16 vjet të demonstratës së 10 shkurtit janë mbushur sot.

Ka qenë ditë e shtunë 10 shkurti i vitit 2007. U nisëm nga rruga “Perandori Justinian” në rrugën “Garibaldi” dhe mandej në këtë “Nëna Tereze”, e para Skënderbeut na ndali kordoni i policisë. Tetë ditë më herët, me 2 shkurt u pat publikuar paketa e ndërmjetësit Ahtisaari, për të cilën ne kishim shumë kritika e që i shpalosëm në tubime publike me qytetarë anekënd Kosovës. Ishim të pakënaqur sepse të bindur që Kosovës i takon shumë më tepër, që populli i Kosovës meriton më shumë, dhe që padrejtësitë e reja nuk i durojmë.

Me të drejtë e kritikuam dhe kundërshtuam paketën e Ahtisaarit, sepse aty kishte komuna të reja mbi baza etnike, zona të veçanta serbizuese rreth kishave e manastireve ortodokse, shuarje përfundimtare të Trupave Mbrojtëse të Kosovës, pjesëmarrje të Kosovës në borxhin e jashtëm të Serbisë, e drejta e vetos për deputetët serbë me ulëse të rezervuara e të garantuara në Kuvendin e Kosovës, dhe vazhdimi i sundimit ndërkombëtar në Kosovë me fuqi ekzekutive mbi neve e pa llogaridhënie ndaj neve.

Dhjetëra mijëra qytetarë demonstruan para 16 vjetëve, e në ballë të tyre ishte Baca Adem, Adem Demaçi, në moshën 71 vjeçare. 232 plumba gjithsej u shkrepën në trupat dhe kokat e qytetarëve nga policia e UNMIK-ut në një situatë ku asgjë s’shihej prej gazit të shumtë lotsjellës. Arben Xheladini e Mon Balaj u vranë kurse 80 demonstrues të tjerë u plagosën rëndë e lehtë. Hysni Hyseni – Doda e humbi syrin, Mustafë Nerjova e ka ende sot një pjesë plastike në kafkën e kokës, kurse Zenel Zeneli e mban plumbin akoma afër zemrës sepse nuk do të arrinte t’i mbijetonte operacionit kirurgjik. Doda i Prizrenit ka vdekur para tre vjetëve, kurse Zenel Zeneli dhe Mustafë Nerjova janë këtu sot me neve.

Ish shefi i Shtyllës së Parë të UNMIK-ut, i Shtyllës së Drejtësisë, atëbotë, Robert Dean, pat bërë një hetim atë pranverë nga i cili doli konkluzioni që për menaxhimin e asaj demonstrate vrasjet e Monit dhe të Arbenit kanë qenë edhe të panevojshme edhe të evitueshme.

Policët e UNMIK-ut shfrytëzuan imunitetin ndërkombëtar ndërkaq Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka ngelur t’i përgjigjet Ministrisë sonë të Drejtësisë. Një javë pra para demonstratës sonë u pat publikuar Paketa e Ahtisaarit, ndërkaq gjashtë javë pas asaj demonstrate Ahtisaari e shtoi rekomandimin për pavarësi të mbikëqyrur si faqe të parë të propozimit të tij.

Të dashur qytetarë,

Kurrë nuk ka qenë më e diskutueshme gjithandej nëse ia kanë vlejtur komunat mbi baza etnike, prandaj Beogradi zyrtar me kaq nervozë kërkon asociacion të tyre. Si zajednicë komunash pat nisur edhe Republika Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë. Jam i bindur që këtë nuk e duan serbët e Kosovës, por jam i bindur që mu këtë e don Serbia.

Kosova ka nevojë për më shumë demokraci, e ndër aspektet e rëndësishme të demokracisë është pluralizmi politik. Te komuniteti serb në Kosovë njëmend nuk ka pluralizëm politik. Mirëpo, ai megjithatë po lind me qeverisjen tonë demokratike e progresiste. Prandaj Serbia është në panik: duan që t’i bëjnë bashkë sa më parë 10 kryetarë komunash të së njëjtës parti që e dirigjojnë ata, ta shpallin një president zajednice dhe me atë ta shkelin ministrin tonë të qeverisë tonë, ministrin nga radhët e komunitetit serb. E padrejtë dhe e gabueshme, e dëmshme dhe e papranueshme.

Të dashur aktivistë e anëtarë,

Vetëvendosja si ide, te ne, i ka tri burime: së pari, rilindjen tonë kombëtare e aty sidomos Lidhjen e Prizrenit; së dyti, programin 14 Pikësh të ish Presidentit amerikan Woodrow Wilson – i cili jo më pak është i famshëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për amandamentin 19 të Kushtetutës që u dha grave të drejtën e votës si dhe për ligjet që e kufizuan orarin e punës në tetë orë; dhe, së treti, burim për vetëvendosjen si ide janë lëvizjet e ndryshme antikolonialiste çlirimtare anembanë globit e përgjatë historisë moderne të njerëzimit. Kjo ide e vetëvendosjes e lansoi Lëvizjen tonë me 12 qershor 2005, mirëpo pikërisht me 10 shkurt 2007 gërshetohet kjo ide me ngjarjen e asaj demonstrate dhe prodhon organizatën tonë të përbashkët të Lëvizjes si dhe besnikërinë e anëtarit të veçantë të VETËVENDOSJE!-s.

Vetëvendosja, edhe gjetiu, edhe te ne, paguhet edhe me jetë, por edhe jeta që ia vlen është ajo me vetëvendosje. Rruga jonë është e vështirë sepse është rrugë përpjetë, por edhe kjo rrugë e jona është e qartë sepse është rrugë e drejtë.

Lavdi Monit e Arbenit! Lavdi gjithë dëshmorëve të kombit!

Të ngjashme