Kryetari i Gjilanit për Muratin: Ndodh që s’ma hap telefonin

| 15 Maj 2023 | 14:05 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, e ka pranuar se edhe kryetarët e komunave, që i takojnë partisë në pushtet, kanë probleme në komunikim me ministrin e Financave, Hekuran Murati. Sipas tij, ka raste që ministri Murati nuk ia hap telefonin, raporton Ekonomia Online.

Hyseni ka pohuar se ekzistojnë probleme ndërmjet kryetarëve të komunave dhe ministrit Murati sa i përket komunikimit.

Këto komente ai i bëri pas takimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit me kryetarët e komunave.

“Ndodh që nuk na e hap telefonin edhe neve, nuk është komunikimi i atillë edhe çfarë mund të pretendohet. Nuk jemi në një linjë të komunikimit për 24 orë, mund të themi kështu. Kemi shumë probleme dhe shumë telashe. Për shembull mua në Gjilan më ka ndodhur që një herë ose dy mu kanë mbyllur xhirollogaritë bankare për shkak të borxheve dhe për këtë punë s’ka mund të më bëjë zgjidhje as ministri, as askush. Unë e kuptoj ministrin nëse ndonjëherë nuk e hap telefonin. Por, problemet e komunikimit ekzistojnë edhe ndërmjet kryetarit e qytetarëve, por edhe ndërmjet kryetarit e ministrave”, tha Hyseni.

Hyseni deklaroi se këto takime po i shërbejnë diskutimit për tema dhe për trajtimin e problemeve të komunave. Për stërzgjatjen e këtij takimi, Hyseni fajësoi homologët e tij, pasi sipas tij u munduan që ngrisin problemet vetëm të komunave të tyre.

“Ka pasur shumë tema të interesimit që kanë qenë për diskutim, një pjesë e tyre ka qenë për faljen e tatimit në pronë që është diskutuar më herët, pronat e AKP-së dhe shumë tema të tjera. E mira për bindjen personale është që këto takime që po i mbajmë tashmë të rregullta, ndërkaq me kryetarë të komunave kanë qenë pesë takime në total. Këto takime po i shërbejnë kryesisht diskutimit për tema dhe për trajtimin e problemeve që janë të përbashkëta për komunat, ka tendenca aty-këtu prej kryetarëve të komunave që t’i ngrisin problemet vetëm të komunave të tyre që po i stërzgjatin takimet, mirëpo kryesisht fokusi është në temat dhe problematikat e përbashkëta dhe kjo po besoj i kontribuon shumë përparimit të Qeverisë në njërën anë, por edhe të komunave në anën tjetër”, deklaroi ai.

Sipas kreut të Gjilanit, disa kolegë të tij po i bëjnë opozitën Qeverisë Kurti. Tha se në një masë mund të jetë e kuptueshme por që po i kalon kufijtë e normales.  

“Në shumë raste ka një tendencë të Asociacionit kundrejt politikave të Qeverisë që deri në një masë ndoshta një garë politike mund të jetë e kuptueshme por shumë herë mund t’i kalojë edhe ato kufijtë e normales që mund të kuptohet. Sa i përket të hyrave vetanake, Komuna e Gjilanit nuk e ka këtë problematikë sepse shumicën e mjeteve që e kemi pas nga viti 2021 e më lartë e kemi shpenzuar, ne kemi qenë një prej komunave me performancë ndoshta më të mirë buxhetore me afër 97 për qind të realizimit të buxhetit për vitin paraprak, ndërkaq sa i përket tatimit në pronë, sigurisht se duhet të trajtohet dhe duhet të zgjidhet kjo problematikë. Sot është premtuar edhe nga Qeveria dhe nga Asociacioni që do të vazhdojnë takimet për këtë pikë, dhe mund të trajtohen në një nivel pak më serioz”, u shpreh Hyseni.

Të ngjashme