Kurti viziton Komunën e Çairit në Maqedoni të Veriut, merr pjesë në ceremoninë e emërtimit të rrugës “Adem Demaçi”

| 11 Gus 2023 | 16:48 | Nga

Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu dhe ai i Tetovës, Bilall Kasami, kanë ftuar Kryeministrin Kurti për të vizituar këto dy komuna.

Kurti mori pjesë në ceremoninë e emërtimit të rrugës me emrin “Adem Demaçi”, veprimtari i cili para dy javësh kishte përvjetorin e 5-të të vdekjes.

Kurti u shpreh se si gazetari, shkrimtari, intelektuali dhe veprimtari, Adem Demaçi, veprat e të cilit i kushtuan plot 28 vite të kaluara nëpër burgje, frikësoi dy liderët diktatorë, Josip Broz – Tito i ish-Jugosllavisë dhe Nikita Krushqev i ish-Bashkimit Sovjetik, të cilët ishin kujdesur që para vizitës së tyre në Shkup, 60 vite më parë, ta burgosnin Adem Demaçin.

“Shtypësit dhe mohuesit e lirisë, nuk mund të parakalonin lirshëm në një vend ku liria kishte për sinonim edhe një emër të përveçëm njeriu, emrin e Adem Demaçit. 60 vite më pas, në Maqedoni ka ende rrugë dhe shkolla me emrin “Josip Broz – Tito”, andaj emërtimi i një rruge me emrin “Adem Demaçi” është edhe një akt këmbënguljeje në përpjekjen e pafundme të një populli për liri”, u shpreh ai.

Në këtë përurim ishin të pranishëm edhe mbesa e veprimtarit Adem Demaçit, Fitore Shahini, Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, Zëvendës-shefi i Misionit të Kosovës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Prindon Sadriu, deputetë e ish-deputet të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut e qytetarë shqiptarë të Çairit dhe të gjithë Shkupit.

Fjalimi i plotë e kryeministrit Kurti:

I nderuari Kryetar i Komunës së Çairit, z. Visar Ganiu,

Të nderuar anëtarë të Këshillit Komunal të Çairit,

E nderuara znj.Fitore Shahini, mbesa e bacës Adem,

I nderuari Kryetar i Komunës së Tetovës dhe Kryetar i Lëvizjes “Besa”, z. Bilall Kasami,

I nderuar Kryetar i Partisë “Alternativa”, z. Afrim Gashi,

I nderuar Kryetar i Lëvizjes Demokratike, z. Izet Mexhiti,

I nderuar Zëvendës-shef i Misionit të Kosovës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, z.Prindon Sadriu,

I nderuari ish-deputet dhe luftëtar i paepur i çështjes kombëtare, Hysni Shaqiri,

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut,

Të nderuar qytetarë, motra dhe vëllezër, zonja dhe zotërinj nga Çairi dhe gjithë Shkupi,

Rreth dy javë më parë, më 26 korrik, e kishim përvjetorin e 5-të të vdekjes së Adem Demaçit, kurse sot më 11 gusht, po e përurojmë një rrugë me emrin e tij, rruga “Adem Demaçi”, në Komunën e Çairit. Në Kosovë ka disa rrugë që e mbajnë emrin “Adem Demaçi”, por emërtimi i një rruge me emrin Adem Demaçit këtu në Komunën e Çairit në Maqedoninë e Veriut, e ka një rëndësi të veçantë.

Kjo, sepse emërtimi i një rruge nuk është thjesht evidentim i një hapësire të lëvizjes, por edhe shenjim i një kohe me një emër. Atëherë, cila është kjo kohë dhe cili është ky emër, që nga sot e tutje do ta shënjojë këtë rrugë? Është koha kur gjatë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, shqiptarët në ish-Jugosllavi ishin komuniteti etnik më i shtypur dhe më i diskriminuar në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore.

Atë periudhë, shqiptarët si në Kosovë, ashtu edhe këtu në Maqedoni të veriut, në Mal të Zi dhe në Luginë të Preshevës, e jetuan regjimin diktatorial të Jugosllavisë njësoj: mes përndjekjesh politike dhe burgjesh, shpërnguljeve e emigrimeve, mes dëbimeve nga puna e mbylljeve të shkollave, nënpërfaqësimit politik dhe pabarazive sociale, me liri të cunguara kombëtare e qytetare dhe të drejta të shkelura të njeriut. Dhe meqë është koha që i prodhon njerëzit, ajo kohë e shtypjes së shqiptarëve në ish-Jugosllavi, mes shqiptarëve, e prodhoi një njeri simbol të lirisë: Bacin Adem Demaçi.

Gazetari dhe intelektuali, shkrimtari dhe veprimtari, Adem Demaçi, me shkrimet dhe me aktivitetin e tij, publik dhe të fshehtë, që i kushtuan plot 28 vite të kaluara nëpër burgje, u bë simbol i rezistencës së paepur ndaj shtypjes e shfrytëzimit dhe i përpjekjes së pandalshme për liri të shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Andaj emri “Adem Demaçi”, përtej emër personi ishte edhe emër figure, ishte parullë më vete, teksa brohoritej “Rroftë Adem Demaçi”, në demonstratat e vitit 1968, të vitit 1981 dhe në demonstratat e vitit 1989.

Të nderuar pjesëmarrës,

Nëse do të ishim në Shkup plot 60 vite më parë, do t’i shihnim banorët e Shkupit duke u munduar të pastrojnë rrënojat dhe të sanojnë dëmet e shkaktuara nga tërmeti i 26 korrikut të vitit 1963. E asokohe, më 22 gusht 1963, Shkupin e goditur nga tërmeti kishin ardhur ta vizitonin së bashku dy liderë diktatorë: Josip Broz – Tito i ish-Jugosllavisë dhe Nikita Krushqev i ish-Bashkimit Sovjetik. Në kuadër të përgatitjeve për vizitën e tyre, me frikën se ajo do të mund të prishej, autoritetet jugosllave të kohës, aparati shtetëror represiv i së cilës udhëhiqej nga Aleksandar Rankoviq-i, ishin kujdesur që paraprakisht ta burgosnin Adem Demaçin. Shtypësit dhe mohuesit e lirisë, nuk mund të parakalonin lirshëm në një vend ku liria kishte për sinonim edhe një emër të përveçëm njeriu, emrin e Adem Demaçit. 60 vite më pas, në Maqedoni ka ende rrugë dhe shkolla me emrin “Josip Broz – Tito”, andaj emërtimi i një rruge me emrin “Adem Demaçi” është edhe një akt këmbënguljeje në përpjekjen e pafundme të një populli për liri. 

Nga përvoja ime e bashkëpunimit me bacën Adem e di që figura më e dashur kombëtare dhe politike e shekullit XX për të ishte Hasan Prishtina. Sot, teksa kujtojmë Adem Demaçin dhe shënojmë me emrin e tij rrugën, natyrshëm kujtojmë Hasan Prishtinën, i cili nesër, por 111 vite më parë, erdhi dhe çliroi Shkupin bashkë me Bajram Currin e Isa Boletinin, kurse pasnesër, por 90 vjet më parë, u vra mizorisht në Selanik.

Zonja e zotërinj,

Motra e vëllezër,

Sa herë që një rrugë, një shesh a një shkollë emërtohet me emrin e një personi që ka ndërruar jetë, natyrshëm të vjen të pyesësh se çfarë do të mendonte për këtë ai person po të ishte gjallë. Kjo është gati e pamundur ta dish, por ajo çfarë mund të thuhet me bindje, është se duke e emërtuar këtë rrugë këtu në Çair, në Shkup, me emrin “Adem Demaçi”, po shënjohet një triumf i lirisë në kuptimet e saj më të kulluara politike, historike dhe njerëzore! 

Ju faleminderit.

Kryeministri Kurti pritet pa vizitoj edhe Tetovën.

Të ngjashme