Gjykimi ndaj Agron Mustafës pritet të fillojë në janar, akuzohet se i shkaktoi afër 7 milionë euro dëm Telekomit

| 03 Sht 2023 | 10:57 | Nga

Procesi gjyqësor ndaj ish-kryeshefit të Telekomit, Agron Mustafa pritet të fillojë në janar të vitit 2024 në Gjykatën Themelore në Prishtinë, lidhur me akuzën për rastin “PAYKOS”, e që dëmi i pretenduar ndaj Telekomit pretendohet të jetë afër 7 milionë euro.Mustafa ngarkohet se ka kryer veprën penale “Lidhja e kontratës së dëmshme”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Një lajm i tillë u bë i ditur për “Betimi për Drejtësi”, nga gjykatësi i ngarkuar për gjykim të kësaj lënde, Sabit Sadikaj.Sipas gjykatësit Sadikaj, lënda do të trajtohet në bazë të radhës se kur është dorëzuar aktakuza nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Ndryshe, më 4 maj 2023 Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte njoftuar për ngritje të aktakuzës ndaj Mustafës.

“Sipas aktakuzës, i pandehuri, në cilësinë e Kryeshefit Ekzekutiv të Telekomit të Kosovës SH.A në Prishtinë, më 16.03.2015 e në vazhdimësi me dije ka vepruar në dëm të PTK-së, ashtu që përmes lidhjes së anekseve, marrëveshjeve duke ndryshuar kushtet e kontratës në disfavor të ndërmarrjes që ka përfaqësuar, në vend që t’i mbrojë interesat e saj, i njëjti me dashje i ka shkaktuar dëm në shkallë të madhe Telekomit të Kosovës, dhe atë në vlerë prej 6,796,732 € (gjashtë milion e shtatëqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë e shtatëqind e tridhjetë e dy euro)”, thuhej në njoftim.

Me këtë, ngarkohet se ka kryer veprën penale “Lidhja e kontratës së dëmshme”, nga neni 291, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1, dhe lidhur me nenin 81, paragrafi 1, nënparagrafi 1.2 dhe 1.5 të KPRK-së.“Prokurori i Shtetit, me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë”, thuhej në njoftim.
Ndryshe, Mustafa ngarkohej edhe në një rast tjetër, për të cilin në dhjetor të vitit 2022, Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë, e cila me 21 shtator 2021, kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj tre ish-drejtuesve të Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK), Agron Mustafa, Ejup Qerimi dhe Rexhë Gjonbalaj, të akuzuar për korrupsion.

Të ngjashme