Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në certifikimin e Grupit të parë të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në xhudo, raporton Ekonomia Online.
Duke uruar për medaljet që fituan xhudistët këtë vikend, Kurti tha se po punojnë që të sigurojnë ndërlidhjen e sportit të xhudos me edukim dhe me shëndetin e të rinjve.
Madje sipas tij, për shkak të këtij angazhimi po vërehen edhe frytet e para të ndërveprimit me sigurinë dhe mbrojtjen.
“Sirtarit tuaj të gjerë të medaljeve, vikendin e kaluar ju shtuan edhe katër medalje të reja evropiane. Është kënaqësi kur e shohim këtë kombinim të uniformës me kimonet e xhudos, që të dyja shkojnë shumë bukur me njëra-tjetrën”.
“E përmes programit ‘Kosova shtet i xhudos’ përveç që po sigurojnë ndërlidhjen e sportit të xhudos me edukim dhe me shëndetin e të rinjve tanë, tashmë po shohim edhe frytet e para të ndërveprimit me sigurinë dhe mbrojtjen”.
E trajneri i Xhudos, Toni Kuka, tha se xhudo nuk është vetëm sport, por edhe forcim i ushtrive nëpër botë, duke i quajtur pjesorët e FSK-së trima që po e mbrojnë vendin.
“Në fakt desha që në mënyrë të veçantë ta falënderoj ministrin Çeku për jetësimin e këtij projekti. Xhudo nuk është vetëm sport, por edhe forcim i ushtrive nëpër botë edhe asaj tonës. Më ka bërë që të mos përtoj me punuar me ushtarët tanë që me trimëri po e mbrojnë vendin tonë”.
Trajtimi i pjesëtarëve të FSK-së në xhudo është pjesë e projektit “Kosova shtet i xhudos”. Xhudoja si disiplinë është shumë e përfshirë në forcat ushtarake.
Në këtë sport Kosova ka suksese kulmore. Javën e kaluar xhudistët kosovarë i fituan katër medalje në Kampionat Evropian.

