Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani priti të enjten në takim kryeministrin e Irlandës, Leo Varadkar. Në takim u diskutua për zhvillimet aktuale politike dhe të fushës së sigurisë, interesat e përbashkëta dhe zgjerimin e mundësive për rritjen e bashkëpunimit.
“Me këtë rast u rikonfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërmjet Kosovës dhe Irlandës, teksa presidentja Osmani falënderoi kryeministrin Varadkar për mbështetjen e palëkundur në përpjekjet e vazhdueshme të Kosovës për paqe të qëndrueshme, stabilitet dhe zhvillim ekonomik”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Osmani shprehu mirënjohje për mbështetjen e Irlandës në rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Tutje, ajo theksoi rëndësinë e vazhdimit të kësaj mbështetje drejt anëtarësimit final në Këshillin e Evropës, BE, por edhe në organizata ndërkombëtare.
“Anëtarësimi në Këshillin e Evropës është në dobi të të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe mundëson mbrojtje të avancuar të të drejtave të njeriut”, ka theksuar Osmani.
Më tej, presidentja ka theksuar se është koha që edhe raportet e Kosovës me BE-në duhet të ngrihen në nivel tjetër.
“Kosova e meriton statusin e vendit kandidat. Kosova mishëron vlerat evropiane, ndaj, në këtë frymë ka pas angazhim të vazhdueshëm që legjislacioni ynë është në harmoni me ligjet e BE-së. Është momenti i duhur që ta marrim statusin e vendit kandidat”, është shprehur ajo.
Në raport me zhvillimet e fundit në vend, Osmani theksoi se Kosova tashmë ka bërë hapa përmbajtësor në deeskalimin e situatës në veriun e vendit, ndaj i cilësoi masat e BE-së, joproporcionale dhe në dëm të qytetarëve të Kosovës.
Në këtë kontekst, Osmani shprehu mirënjohje për qëndrimin e Irlandës kundër këtyre masave dhe përsëriti thirrjen për heqjen e tyre, ngase masat aktuale në fuqi kundër Kosovës janë të padrejta dhe krijojnë mungesë ekuilibri në dialog.
Kurse sa i përket situatës së sigurisë, Osmani ka thënë se mungesa e masave kundrejt Serbisë në lidhje me sulmin terrorist dhe aktin e agresionit të 25 shtatorit në Bansjkë vetëm se e inkurajon atë për të bërë sërish veprime të ngjashme, që cenojnë jo vetëm stabilitetin e Kosovës, por edhe rajonin.
“Presidentja Osmani dhe Kryeministri Varadkar theksuan rëndësinë e bashkëpunimit në adresimin e sfidave globale dhe nxitjen e zhvillimit në të gjitha sferat e interesit të përbashkët, me fokus të veçantë në fushën e arsimit dhe shëndetësisë”, vijon njoftimi.