Qendra Emergjente e QKUK-së trajtoi mbi 96 mijë pacientë në vitin 2024, dominuan aksidentet dhe sëmundjet kardiovaskulare

Prishtinë | 05 Shk 2025 | 09:07 | Nga Gzim Mujaj

Klinika Emergjente e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka ofruar shërbime për mbi 96 mijë pacientë gjatë vitit 2024, duke shënuar një rritje të ndjeshme krahasuar me vitin e kaluar, raporton Ekonomia Online

Sipas drejtorit të Klinikës Emergjente, Naser Syla, numri i rasteve të trajtuara është rritur me rreth 20 mijë pacientë, ndërsa dominuan aksidentet e komunikacionit dhe sëmundjet kardiovaskulare.

Syla tha për Ekonomia Online se ky fluks i madh i pacientëve është një sfidë jo vetëm për Klinikën Emergjente, por për të gjithë QKUK-në, duke vënë në vështirësi menaxhimin e shërbimeve shëndetësore. 

Një ndër problemet kryesore, sipas drejtorit mbetet mungesa e filtrimit të pacientëve, pasi një numër i madh i tyre kërkojnë trajtim në Klinikën Emergjente pa referim të mirëfilltë.

“Qendra emergjente është e stërngarkuar nga numri i pacienteve. Këtë vit trajtim në Qendrën Emergjente kanë kërkuar 96 mijë e 294 pacient, diku mbi 20 mijë pacient më tepër se sa vitin e kaluar. Vitin e kaluar kanë qenë 94 mijë e 300, këtë vit gati 20 mijë më tepër. Këtë numër të mjekëve që e kemi është një sfidë për të gjithë stafin, jo vetëm për Qendrën Emergjente por edhe për QKUK-në që të menaxhohet edhe që të merr shërbim adekuat ky numër kaq i madh i këtyre pacienteve. Në Qendrën Emergjente frekuentojnë pacientë pa kurrfarë filtri, as referimi të mirëfillte”, tha Syla.

Ai vë në pah faktin se 40 për qind e pacientëve nuk janë raste që realisht duhet të trajtohen në këtë klinikë.

Syla theksoi se mjekët e këtij institucioni shpesh detyrohen të kryejnë punë që në kushte normale duhet të trajtohen në nivele të tjera të sistemit shëndetësor.

“Po çdo njëri ka të drejtën që të vije që të merr trajtim në Qendrën Emergjente. Edhe pse shumica prej tyre, mund të them për mbi 40 për qind nga ta nuk janë pacient të cilët duhet të trajtohen në qendrën emergjente për shkak se ne e kemi vetëm një institucion terciar në krejt shtetin tonë të Kosovës dhe ai është QKUK-ja. Nëse e kemi të vetmin institucion terciar ku duhen të trajtohen raste të cilat nuk mund të trajtohen në qendra tjera sekondare dhe ato primare, atëherë një numër kaq i madh i pacienteve nuk ka teori edhe nuk korrespondon me realitetin të cilin e kemi që të kërkojnë edhe të trajtohen në Qendrën Emergjente. Do të thotë në vend që kuadri i cili është pjesë e Qendrës Emergjente të merret me rastet eklatantë dhe ato që janë më të vështira duhet të merren shpesh herë dhe ta kryejnë punën edhe të mjekësisë sekondare, shpesh herë edhe të asaj primare”, tha ai për Ekonomia Online.

Sa i përket rasteve më të shpeshta gjatë vitit të kaluar, drejtori i Klinikës Emergjente bëri të ditur se dominuan aksidentet e komunikacionit dhe sëmundjet kardiovaskulare.

Sipas tij, numri i rasteve të trajtuara si pasoj e aksidenteve gjatë viti 2024 kanë qenë 6 mijë e 894 pacient. 

“Dihet se mjekësi emergjente është lami multi-diciplinare. Po edhe këtë viti (2024) sikur vitin e kaluar dominojnë rastet e aksidenteve të komunikacionit edhe rastet  me sëmundje kardiovaskulare. Vitin e fundit rastet me aksidente të komunikacionit kanë qenë 6 mijë e 894 pacient që kanë kërkuar ndihmë, një numër jashtëzakonisht i madh”, ka thënë ai.

Të ngjashme