Qeveria Bangladeshi 3

Prishtinë | 01 Pri 2025 | 16:10 | Nga Behxhet Bajgora

Zgjedhjet përfunduan, por askush nuk ka arritur shumicën e nevojshme për formimin e qeverisë. Xhingis Kani i Lëvizjes Vetëvendosje (LV), Albin Kurti, i njohur gjithashtu si “Albin Baba i jetimëve të Kosovës,” është i bindur se do ta formojë qeverinë, pa koalicione dhe pa partinë shpirtërore të Mimoza Kusarit, Listën Serbe. Ai është shumë i motivuar, sepse krah të djathtë ka Nenad Rashiqin, që bashkë me Alim Ramën dhe Atiqin e Severna Mitrovicës formojnë grupin e tre muskejerëve për bashkim kombëtar… me Serbinë, sipas Marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit.

Opozita e ndarë ka 52 vota shqiptare, ndërsa LV ka 48 vota shqiptare. E theksoj “shqiptare” sepse një numër i konsiderueshëm i deputetëve të LV-së, megjithëse flasin shqip, janë të lidhur me ideologji dhe interesa të tjera që shpesh herë nuk përputhen me kauzën kombëtare.

Opozita ka rënë në kurthin e euforisë duke menduar se Kurti nuk ka numrat e nevojshëm për të formuar qeverinë dhe se, siç kanë thënë ata, nuk do të ketë asnjë kushtëzim për koalicion. Gabimi i madh i opozitës ishte dhe mbetet se ata e kanë bazuar shpresën te fakti se LV nuk do të pranojë Listën Serbe. Kjo ka qenë një mungesë e elementarizmit politik dhe një analize të thelluar, sidomos pasi Mimoza Kusari, e dërguar nga Albin Kurti, arriti një marrëveshje me Radoiçiqin dhe Simiqin për të mos votuar Ligjin për veteranët dhe pagën minimale.

Albin Kurti, për të ardhur në pushtet, nuk ka lënë mjet apo metodë pa përdorur: dhunë në rrugë, dhunë kundër institucioneve, manipulim dhe instrumentalizim të viktimave që kanë vuajtur gjatë luftës dhe që kanë paguar me jetën e tyre. Lista e deputetëve të LV-së, përjashtuar disa raste sporadike, nuk ka asnjë lidhje me kauzën kombëtare; ajo është antikombëtare në përmbajtje, bindje dhe veprim. Kabineti qeveritar i LV-së nuk dallon asgjë nga kabineti i Fadil Hoxhës, ndërsa Marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit e bëjnë atë edhe më të dobët në raport me standardet e Rrahman Morinës, që mbështet Albinin dhe lufton Hashimin dhe UÇK-në.

Mediat e afërta me LV përpiqen ta paraqesin Albin Kurtin si analist dhe mendimtar politik, por shumica e gjeneratave të reja nuk e njohin, dhe ata që janë në pushtet e shohin si një mjet për të mbajtur pushtetin, për të shfrytëzuar pozitat e tyre për përfitime personale.

Në fund të fundit, NISMA, e cila ka pasur pak mundësi për të vepruar, mund të bashkohet me LV-në dhe të bëhet një grup i ri, në një koalicion që, siç thuhet, do të përfaqësojë interesat e shumicës, por në fakt është thjesht një shtesë e Listës Serbe.

Në këtë atmosferë politike, opozita duhet të heqë dorë nga shpresa për formimin e një qeverie, sepse ka kaluar në një fazë të pasigurisë dhe paqartësie. Fronti opozitar duhet të fokusohet në zgjedhjet lokale që janë shumë afër. PDK, si parti e dytë më e madhe, është e kujdesshme dhe nuk po ngutet të formojë një koalicion, ndërsa LDK është e vendosur të qëndrojë në opozitë, duke pritur mundësinë për të marrë postin e Kryeministrit, përveç nëse Albin Kurti bën një “çudi” dhe arrin të bëhet një figurë më e pranueshme.

Kosova ka hyrë në një fazë të pasigurisë, dhe çdo vendim që do të merret mund të ketë pasoja të rënda për të ardhmen. Ajo që është e sigurt është se ky vend është në një situatë të brishtë dhe mund të shpërthejë në çdo moment, duke mos qenë nën kontrollin e plotë të institucioneve dhe liderëve aktualë.

Të ngjashme