Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar ashpër përmes një postimi në Facebook ndaj, siç thotë ai, linçimeve publike që po u bëhen gazetarëve dhe mediave në Kosovë.
Ai e ka quajtur këtë një shenjë alarmante të rrëshqitjes së vendit drejt autoritarizmit, shkruan Ekonomia Online.
“Linçimet publike ndaj gazetarëve dhe medias janë alarm i kuq për rrëshqitjen e vendit në autoritarizëm”, ka shkruar Haradinaj, duke kritikuar ashpër qeverinë për qasjen e saj ndaj lirisë së medias.
Ai ka akuzuar qeverinë aktuale se, në vend se të reflektojë për rënien e Kosovës në raportet ndërkombëtare për lirinë e mediave, po vazhdon të sulmojë e shpifë ndaj gazetarëve që guxojnë të raportojnë për keqqeverisjen.
Haradinaj ka përmendur edhe një zyrtare të Vetëvendosjes, të cilën e quan “Komisare”, si shembull të fundit të kësaj praktike.