Habitet punëtori i moshuar i “Pastrimit”: Pse nuk takohen drejtuesit e Komunës dhe Ndërmarrjes, takohuni e bëni zgjidhje!

Prishtinë | 22 Maj 2025 | 11:11 | Nga Ekonomia Online

Në grevën e punëtorëve të Kompanisë rajonale të mbeturinave “Pastrimi” para ndërtesës së Komunës së Prishtinës, Fadil Bllaca, një punëtor, që tha se punon rreth 30 vjet në ndërmarrjen “Pastrimi” në komunikim me nënkryetarin e Prishtinës, Shkëmb Manaj, shprehu habi se si nuk po mund të takohen përgjegjësit e Komunës së Prishtinës dhe të Ndërmarrjes “Pastrimi” për kapërcimin e situatës së krijuar, raporton Ekonomia Online.

“Ne jemi në krizë, në agoni. Këtë të gjithë e shohin. Vërejtja është se kryetari i Komunës dhe drejtori i Shërbimeve Publike, që janë aksionarë tanë si dhe kryeshefi i Ndërmarjes ‘Pastrimi’ dhe kryesuesi i Bordit të ndërmarrjes sonë, pse këta katër persona nuk nuk mund të takohen.

Urdhëroni, takohuni ju katër persona se nuk jeni armiq. Jeni shqiptarë si të gjithë ne “, tha ai.

Ndërsa, nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Shkëmb Manaj, tha se nuk është problem takimi i
këtyre katër zyrtarëve të Komunës dhe Ndërmarrjes “Pastrimi”.

“Me rëndësi është që Komuna të ndërmarrë veprimet e saj dhe menaxhmenti i kompanisë verpimet e veta. Këto procese nuk guxojnë të politizohen. Bashkë jemi në funksion të qytetarëve”, tha Manaj.
Ndërkohë, Komuna e Prishtinës me një kumtesë reagoi pas nisjes së grevës nga punëtorët e kompanisë “Pastrimi” para ndërtesës së komunës.

Siç thuhet në njoftim, “grumbullimi i i punëtorëve të KRM “Pastrimi” para objektit të Komunës është i panevojshëm” dhe se sipas tyre, të njëjtit po keqpërdoren për qëllime politike nga menaxhmenti.

“Të nderuar qytetarë, Ka kohë që Kryeqyteti është angazhuar për zgjidhjen e situatës së krijuar me mbeturinat. Prandaj, përderisa Kryeqyteti, është duke bërë gjithçka për tejkalimin e kësaj gjendje konsiderojmë se grumbullimi i punëtorëve të KRM “Pastrimi” para objektit të Komunës është i panevojshëm.

Keqpërdorimi i tyre për qëllime politike nga menaxhmenti është i papranueshëm dhe nuk duhet të vazhdojë”, thuhet në reagimin e Komunës së Prishtinës.

Të ngjashme