Grevistët e “Pastrimit” para Komunës kërkojnë zgjidhje: S’jemi këtu që të bëjmë politikë

Prishtinë | 23 Maj 2025 | 10:08 | Nga Ekonomia Online

Punëtorët e Kompanisë rajonale të mbeturinave “Pastrimi” në ditën e dytë të grevës para ndërtesës së Komunës së Prishtinës, ku sot janë vendosur në tendë, ritheksuan kërkesat e njëjta, raporton Ekonomia Online.

Shpend Qosaj në emër të kolegëve të tij grevistë tha se kërkesat e tyre janë bazike.

“ Kërkojmë të drejtat tona. Kërkojmë një kontratë që na e mundëson të dalim nga kjo gjendje”, tha Qosaj.

I pyetur nga gazetarë për angazhimin e kompanive nga Komuna e Prishtinës, Qosaj tha se ia lënë ligjit.

“ Ne nuk jemi këtu të bëjmë politikë. Kosova i ka ligjet e saj. Ia lëmë ligjit. Nuk kam çka të them tjetër”, tha ai.

Ka disa ditë që ndërmarrja “Pastrimi” nuk po i grumbullon mbeturinat dhe sipas kësaj ndërmarrjeje është e detyruar ta ndërpresë shërbimin, për shkak të mospagesës së borxhit prej 2.7 milionë eurosh nga Komuna.

Komuna ka mohuar borxhin ndaj ndërmarrjes Pastërtia dhe ka akuzuar ndërmarrjen për sabotazh.

Ndërkohë, kryeqyteti është mbushur bërllok dhe është alarmuar për rreziqe shëndetësore, ndërsa Prokuroria është aktivizuar për të grumbulluar informata për situatën.

Më parë, në njoftimin e Sindikatës së “Pastrimit” për grevën thuhej se qëllimi i saj është
shprehja e pakënaqësisë dhe kërkesës për zgjidhje emergjente ndaj situatës së rëndë financiare, ku
është futur ndërmarrja, “si pasojë e mosshlyerjes së obligimeve financiare nga Komuna”.

Të ngjashme