Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, së bashku me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, kanë vënë sot gurthemelin për projektin e madh të banimit të përballueshëm dhe social në këtë komunë.
Ky projekt parasheh ndërtimin e 135 njësive banimi me një vlerë që kap shifrën mbi 10 milionë euro. Ai realizohet si bashkëpunim mes Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) dhe Komunës së Pejës.
Sipas marrëveshjes, Komuna ka ofruar lokacionin dhe ka siguruar infrastrukturën përcjellëse, ndërsa investimi kapital mbulohet nga MMPHI.
“Ky projekt do të krijojë mundësi reale për strehim të qindra qytetarëve, në veçanti për çiftet e reja dhe familjet që kanë më së shumti nevojë për mbështetje. Është një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të një sistemi të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës të banimit në Pejë”, u shpreh kryetari Muhaxheri.
Pritet që ndërtimi i banesave të përfundojë brenda afatit dyvjeçar, ndërsa përfituesit do të përzgjidhen në bazë të kritereve sociale dhe ekonomike, në bashkëpunim me institucionet përkatëse.
Ky investim vjen në kuadër të përpjekjeve të Qeverisë së Kosovës dhe komunave për të rritur qasjen në banim të sigurt dhe të përballueshëm për të gjithë qytetarët.