Parlamenti Evropian: Serbia duhet ta njohë gjenocidin në Srebrenicë, Evropa të mos e kthejë më shpinën

Prishtinë | 08 Kor 2025 | 11:42 | Nga Ekonomia Online

Parlamenti Evropian ka nderuar viktimat e gjenocidit në Srebrenicë, duke theksuar nevojën për ballafaqim me të kaluarën dhe duke i bërë thirrje Serbisë që ta njohë përgjegjësinë për ngjarjet tragjike të korrikut 1995.

Në hapje të seancës plenare në Strasburg, eurodeputetët kërkuan masa konkrete për të parandaluar përsëritjen e tragjedive të ngjashme në të ardhmen.

Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, në një fjalim përkujtoi dy të mbijetuarit e gjenocidit, Almasa dhe Almir Salihoviq, të pranishëm në seancë.

“Ju na kujtoni se pas çdo numri qëndron një histori njerëzore. Almasa humbi vëllain e saj, ndërsa Almir kaloi gjashtë ditë në pyll, duke ikur nga vdekja”, tha Metsola.

Eurodeputeti çek, Ondrej Kolar, raportues për Bosnjën dhe Hercegovinën, theksoi se pas 30 vjetësh ende tolerohet gjuha e urrejtjes në rajon dhe se “nuk mjafton të gjykohen kriminelët, duhet të parandalohen krimet e ardhshme”.

Nga radhët e socialdemokratëve, eurodeputeti slloven Matjaž Nemec paralajmëroi se retorika që solli gjenocidin në Srebrenicë po dëgjohet sërish në Evropë – këtë herë kundër palestinezëve.

Konzervatori finlandez Sebastian Tynkkynen e quajti 11 korrikun “ditën më të errët të Evropës moderne”, ndërsa liberali austriak Helmut Brandstätter theksoi rëndësinë e pranimit të përgjegjësisë historike.

“Edhe Austria e pranoi me vështirësi rolin në Holokaust, por vetëm përmes të vërtetës ndërtohet paqja”, tha ai.

Eurodeputetja holandeze Tineke Strik vuri në pah dështimin e OKB-së për të mbrojtur civilët dhe paralajmëroi për rrezikun që paraqesin sot mohimi i gjenocidit dhe retorika etnonacionaliste në Bosnje.

“Pa ballafaqim me të kaluarën, nuk ka Bosnjë e Hercegovinë stabile”, theksoi Strik.

Thirrja e Parlamentit Evropian vjen në prag të përvjetorit të 30-të të masakrës së Srebrenicës, ku mbi 8,000 burra e djem myslimanë boshnjakë u vranë nga forcat serbe të Bosnjës.

Të ngjashme