Valë zjarresh! Për një ditë madje 66 raste, dyshohet edhe për zjarrvënie të qëllimshme

Prishtinë | 09 Kor 2025 | 15:32 | Nga Ekonomia Online

Një valë zjarresh ndodhën këto ditë në Kosovë.

Drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave (AME), Genc Metaj, në konferencë për media, bëri të ditur se brenda pesë ditësh ndodhën rreth 300 zjarre, raporton Ekonomia Online.

Ai saktësoi se vetëm më 7 korrik ndodhën, madje 66 zjarre.

“Zjarret kanë përfshirë zonat pyjore, fusha bujqësore dhe në disa raste edhe afër vendbanimeve, çka paraqet rrezik të drejtpërdrejtë për jetën dhe pronën e qytetarëve. Ky numër i madh dhe pasojat që mund të sjellin këto zjarre janë alarmante. Si rezultat i kësaj situate, fatkeqësisht pas një aksidenti të rëndë që ka ndodhur gjatë intervenimit e kemi humbur udhëheqësin e togut nga njësia profesionale e zjarrfikëseve dhe shpëtimit në Gjakovë tani të ndjerin Kaqun Lima, i cili ka ndërruar jetë duke u dalë në ndihmë qytetarëve të Republikës”, tha Metaj.

Ai vuri në dukje se aktualisht janë tri vatra aktive të zjarrit. Vuri theksin te rreziku nga zjarrvëniet e qëllimta.

“Dyshojmë që janë ndezje të koordinuara, sepse për një pasdite shfaqen 57 raste përnjëherë. Kryesisht zjarret kanë filluar në toka bujqësore e më pastaj janë shpërndarë edhe në zona malore. Dëmet janë të konsiderueshme”, tha Metaj.

Ai vlerësoi se numri i zjarrfikësve është i kënaqshëm, porse tha se ky numër duhet të jetë edhe më i madh.

Ai bëri thirrje për kujdes të shtuar të qytetarëve dhe shtroi nevojën për bashkëpunim në parandalimin e zjarreve, duke raportuar për çdo rast të dyshimtë.

Të ngjashme