Elezi: Deklaratat e Trumpit për përshkallëzim të merren parasysh, Osmani përpiqet të jap përshtypjen e afërsisë me SHBA-në

Prishtinë | 14 Kor 2025 | 13:25 | Nga Diellza Gashi

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Bedri Elezi, ka reaguar ndaj deklaratës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka deklaruar se ish-presidenti amerikan Donald Trump ka parandaluar së fundmi një përshkallëzim të mundshëm të situatës së sigurisë nga Serbia.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Elezi theksoi se deklaratat e presidentëve amerikanë duhet të merren seriozisht për shkak të burimeve të fuqishme të SHBA-së, ndërsa komentet e Osmanit, sipas tij, nuk janë të mbështetura në komunikim zyrtar me administratën Trump.

“Deklaratat e presidentit të ShBA-së Donald Trump ne i konsiderojmë shumë serioze dhe e dimë që janë deklarata burimore, duke marrë parasysh edhe kapacitetet që ka ShBA-ja për të pasur informacione dhe për të ndikuar në parandalim të një lufte që e konsiderojmë si serioze dhe të rëndësishme. Ndërsa, deklaratën e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka marrë një vëmendje të jashtëzakonshme dhe një kritikë gjithashtu nga struktura politike dhe të tjerë, madje edhe nga vetë administrata Trump, është bërë një ankesë në lidhje me deklaratën e saj, e konsiderojmë si të nevojshme për të sqaruar opinionin se në raste kur nuk qëndrojnë ato informacione, nëse vërtet e njëjta ka dhënë një deklaratë bazuar në burime të hapura dhe nuk ka pasur një komunikim me administratën Trump”, tha Elezi.

Ai vlerësoi se presidentja po përpiqet të krijojë përshtypjen e një afërsie me SHBA-në, duke e përdorur këtë për përfitime politike të brendshme, në një kohë kur është në fund të mandatit.

“E kemi parë që presidentja në vazhdimësi po tenton të tregohet si e afërt me administratën Trump. Është e vërtetë që ShBA-ja në mungesë të komunikimit me qeverinë ka zgjedhur që të mos humbasë komunikimin me qytetarët e Kosovës, duke e ruajtur një kontakt permanent dhe duke ftuar në shumë takime presidenten, siç e bën edhe me ministrin e Mbrojtjes, por jo një pjesë të madhe të qeverisë. Presidentja po mundohet që t’u japë përshtypjen për një raport më të afërt që ka me ShBA-të dhe se deklarata e saj e fundit duhet të konfirmohet në mënyrë që të mos dëmtohen marrëdhëniet me Kosovën. Deklaratat e përfaqësuesve shtetërorë publikë janë tejet të rëndësishme dhe duhet të ketë një kujdes të shtuar, kur këto deklarata ndahen me publikun, ngase kanë ndikim të drejtpërdrejtë në marrëdhëniet mes dy shteteve. Mund të ndikojnë edhe në sigurinë kombëtare, ngase nëse jepet një deklaratë e paqëndrueshme, e pasaktë, e pathënë dhe e pavërtetë, mund të ndikojë në marrëdhëniet në mes aleatëve, në këtë rast të dëmtojë edhe sigurinë kombëtare”, theksoi ai.

Sipas Elezit, kjo qasje mund të dëmtojë marrëdhëniet me SHBA-në dhe të ketë ndikim negativ në sigurinë kombëtare të Kosovës.

“Nuk është hera e parë që presidentja nuk është serioze në veprimet dhe deklarimet e saj. Presidentja ka bërë një punë gjithmonë të PR-it sesa të shtetit. Është munduar të japë deklarata, të cilat janë vështirë të konfirmueshme ose deklarata, të cilat janë kuptuar në opinion si një mbështetje e qytetarëve të Kosovës, posaçërisht tashmë kur dimë që e njëjta është në fund të mandatit, nuk ka të ardhme mirëfilli politike, nuk është pjesë e asnjë subjekti politik. Po mundohet që të luajë një rol të rëndësishëm si ai i njeriut më të rëndësishëm të Kosovës në raport me miqtë ndërkombëtarë. Ka pasur edhe në të kaluarën deklarata joserioze, por që kur citohen burimet amerikane duhet të kemi një kujdes, sepse mund të konsiderohet si një qasje e qëllimshme për ta dëmtuar sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës”, tha për EO, Elezi.

Të ngjashme