Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) publikoi raportin “Ndikimi i bashkimit të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale me Ministrinë e Financave”, duke ngritur shqetësime serioze mbi pasojat e këtij vendimi institucional, raporton Ekonomia Online.
Naim Jakaj, hulumtues i lartë në IKD, kërkoi nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës rikthimin e kësaj ministrie si institucion i pavarur, duke theksuar se 85% e shteteve të Bashkimit Evropian e kanë një ministri të veçantë për këtë fushë.
“Ky veprim nuk ka qenë reformë, por margjinalizim i mirëqenies sociale. Pas këtij vendimi, Kosova është ndër të paktat vende në rajon dhe Evropë pa një ministri të dedikuar për punë dhe mirëqenie sociale. Sot, 85% e shteteve te Bashkimit Evropian e kanë një ministri të veçantë për punë dhe mirëqenie sociale. Po ashtu, shumica dërrmuese e vendeve të Ballkanit Perëndimor e ruajnë këtë strukturë si shtyllë të rëndësishme të qeverisjes. Vetëm Kosova dhe pjesërisht Shqipëria kanë zgjedhur ta fusin këtë fushë jetike brenda ministrive me portofol financiar, duke e humbur fokusin strategjik dhe përgjegjësinë institucionale për të drejtat sociale. Kjo nuk është çështje teknike, por politike dhe sociale me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve.
Pas këtij vendimi, është dështuar tërësisht agjenda legjislative në fushën sociale. Ligje të rëndësishme, si ai për Punën dhe për Sigurinë në Punë, janë tërhequr ose kanë mbetur të bllokuara. Po ashtu, Kosova nuk ka arritur të harmonizojë legjislacionin me direktivat e Bashkimit Evropian, gjë që ndikon negativisht në procesin e integrimit evropian”, tha Jakaj.
Muja: Pajtohem që ka pak inspektorë, por i kemi dyfishuar
Armend Muja, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), tha se pajtohet se ka pak inspektorë. Megjithatë, tha se e kanë dyfishuar numrin e tyre.
“Me të drejtë, raporti thotë se ka pak inspektorë. E vërtetë që ishin 30 në vitin 2021, por ne i bëmë 60 që është një dyfishim. Por, ajo që thekson raporti është që inspektorët nuk janë të specializuar në fusha komplekse të njohurisë, gjë që pajtohem. Mirëpo, neglizhohet kalimi i një ligji të rëndësishëm që është Ligji për Inspektimet, e që pikërisht ka qëllim. Është bërë me asistencë të Bankës Botërore me qëllim që edhe inspektimi të mos duplikohet edhe në njëfarë mënyre të krijohet edhe një komplimentaritet tek aspektet e inspektimit”, tha ai.
Sa i përket sigurisë dhe shëndetit në punë, deputeti tha se i bëri përshtypje konkluzioni i cili thotë se që nga viti 2020 numri i lëndimeve dhe vdekjeve në vendet e punës në Kosovë ka shënuar rritje të vazhdueshme pas viti 2020”. Ai tha se ky konkluzion nuk po përputhet me të dhënat ose parcialisht mund të këtë elemente të përmirësimit të raportimit.
“Pajtohem me nevojën e shtrirjes së inspektimeve. Një aspekt që po neglizhohet është roli i komunave në Inspektoratin komunal, sidomos tek lejet e ndërtimit dhe po ashtu kjo duhej të theksohej në raport”, tha ai.
Duke folur për Ligjin për Pagat dhe pagën minimale, Muja tha se po tentohet të thuhet se përpara ka qenë më mirë.
Sipas tij, duket që konkluzioni apo mesazhi kryesor i raportit duket që të jetë se fuzionimi i Ministrisë së Financave me elementet e punës dhe transfereve sociale, duket të jetë pika kryesore e kritikës.
Deliu: Kemi një Inspektorat të politizuar, s’ka as dialog social siç është premtuar me vite
Blerta Deliu, deputete e Partisë Demokratike të Kosovës, tha se shuarja e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale është bërë pa konsultime.
“Konsideroj që shuarja e Ministrisë së Mirëqenies Sociale më 2021 ka qenë pa një analizë të detajuar, ka qenë një proces ad-hoc, jo i menduar mirë dhe absolutisht i pakonsultuar me akterë sindikalistë, administratë publike, e përfaqësues të organizatave tjera për ta peshuar më mirë shuarjen e një institucioni të ndjeshëm dhe të rëndësishëm për Republikën e Kosovës”, tha Deliu.
Ajo tha se Vetëvendosje ka ardhur mbi idenë e racionalizimit dhe reduktimit të Ministrive, por që sipas saj, forma se si është shtuar kjo Ministri, ka bërë që problemet vetëm të shtohen edhe për shkak të mospërmbushjes se premtimeve zgjedhore.
“Ndër premtimet kryesore të Albin Kurtit të fushatës se fundit kanë qenë edhe banime të përballueshme për 4 mijë familje në Republikën e Kosovës, ka qenë njëri prej premtimeve të tij pesëfishimi i inspektorëve të punës, është premtuar që Kosova do të ketë 400 inspektorë”, u shpreh ajo.
Mirëpo, sipas saj, jo vetëm që kjo nuk ka ndodhur, por kemi vetëm 62 inspektorë dhe kemi një Inspektorat të politizuar.
“Një Inspektorat me afera të njëpasnjëshme, që ka dëmtuar edhe më shumë integritetin e këtij institucioni, të mos flas këtu me bashkëpunimin mes inspektoratëve komunalë. Ne kemi në krye të Inspektoratit një mik të ministrit që mbrohet me përkushtimin më të madh nga ministri Murati, është mbrojtur gjatë gjithë kohës”, shtoi ajo,
Sipas Deliut, sot nuk kemi as dialog social sepse Kosova ka krizë tjetër në këta 5 muaj, por as në mandatin e kaluar nuk ka pasur një dialog nga VV-ja e cila për vite të tëra ka folur për këtë
Zemaj: Nuk ka pasur ndonjë rezultat konkret që e mbron punëtorin
Edhe deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, u shpreh se kjo shuarje nuk ka sjellë efikasitet.
“Shuarja nuk është treguar efikase,edhe pse kemi qenë të thirrur për një reformë në vazhdimësi. Ne flasim edhe për te drejtat e punëtorëve që nuk ka lënë shije të mirë. Po shohim edhe sot që nuk ka pasur ndonjë rezultat konkret që e mbron punëtorin”, tha Zemaj.
