PDK reagon ndaj vendimit të Speciales: Drejtësia, sado e vonuar, në fund mbetet e vërtetë

Prishtinë | 16 Kor 2025 | 14:18 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka reaguar pas vendimit të Dhomave të Specializuara për të refuzuar mocionin për rrëzimin e një pjese të aktakuzës ndaj të akuzuarve në Hagë, duke shprehur keqardhje dhe duke vënë në pah, siç tha ai, mungesën e barazisë në procesin gjyqësor, raporton Ekonomia Online.

“Dhomat e Specializuara sot kanë rrëzuar mocionin për rrëzimin e një pjese për aktakuzës në Hagë. Pa u futur në paragjykim, në emër të PDK-së shpreh keqardhje ndaj këtij vendimi për refuzimin e rrëzimit të kësaj aktakuze,” deklaroi Gruda në një konferencë për media.

Ai theksoi se “asnjë kërkesë e mbrojtjes nuk pranohet nga ana e trupit gjykues. Kjo tregon që nuk kemi barazi mes palëve në procedurë”.

Deputeti Gruda u shpreh i bindur se drejtësia, edhe pse e vonuar, në fund do të dalë në pah.

“Ne besojmë që drejtësia, sado e vonuar, në fund mbetet e vërtetë. Të akuzuarit në Hagë janë të pafajshëm, janë çlirimtarë. Në fund do të konfirmohet për pastërtinë e tyre dhe do të rezultojë me lirimin e tyre dhe shpalljen të pafajshëm”.

Të ngjashme