Instituti për Siguri dhe Resiliencë – PREVENT ka përshëndetur veprimin e koordinuar dhe profesional të institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë në Kosovë për arrestimin e zyrtarit policor Bojan Jevtić, i dyshuar për përfshirje në aktivitete spiunazhi dhe bashkëpunim me inteligjencën serbe.
Jevtić, zëvendëskomandant dhe shef operativ në veri të Kosovës, u arrestua në pikën kufitare “Dheu i Bardhë”, pas hetimeve të gjata nga Prokuroria e Shtetit, IPK, Policia e Kosovës dhe AKI.
PREVENT e cilëson këtë arrestim si dëshmi të pjekurisë institucionale dhe bën thirrje për vazhdimin e hetimeve me integritet, duke theksuar nevojën për forcimin e kapaciteteve kundërzbulese dhe verifikimin më të rreptë të zyrtarëve publikë. Arrestimi i Jevtić është rasti i shtatë brenda një viti, ku persona të dyshuar për bashkëpunim me inteligjencën serbe janë vënë në pranga.