Avokati Arianit Koci ka njoftuar se 48 dështimet për konstituimin e Kuvendit i ka adresuar edhe në librin e rakordeve Guinness.
Ai ka treguar se ka aplikuar për regjistrimin e këtij rekordi në këtë libër.
Në profilin e tij në “Facebook”, Koci ka shkruar se një gjë e tillë nuk ka ndodhur askund në botë.
“Aplikova në Librin e Rekordeve Guinness. Si qytetar i Kosovës – e paraqita rastin absurd që po ndodh në vendin tim: 48 herë rresht ka dështuar konstituimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Po, dyzet e tetë tentime – dhe ende pa Kuvend funksional. Turp, turp, turp! Sipas meje, kjo nuk ka ndodhur askund në botë – as në vendet me krizë të thellë institucionale. Madje, as në shtetet me përçarje etnike, sektare apo politike. Vetëm te ne – në një shtet që vetëquhet demokratik. Ky veprim është në vazhdën e protestës sime qytetare, që kam nisur para Kuvendit”, ka shkruar ai, duke u shprehur optimist që Guinness do ta pranon aplikimin e tij.
“Bllokimi i institucioneve tani është çështje e rendit demokratik, e të drejtave të qytetarëve dhe e funksionimit të shtetit. Nëse Guinness e pranon, të paktën ta dimë që jemi “të parët në botë” për diçka – për një rekord turpi!”, ka shkruar ai.