Nuk u konstitua Kuvendi i Kosovës, i dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, as në vazhdimin e sotëm të 48-in me radhë, megjithëse po afrohet 26 korriku, afati i fundit, i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për formimin e Kuvendit, raporton Ekonomia Online.
Edhe më tej nuk ka pajtueshmëri midis Lëvizjes Vetëvendosje në njërën anë dhe partive të tjera në anën tjetër, për formimin e një komisioni për votim të fshehtë të kandidates për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Kryesuesi Avni Dehari ua ndërpreu fjalën deputetëve Rashit Qalajt të PDK-së, Alban Zogajt të LDK-së dhe Time Kadrijajt të AAK-së.
51 votuan për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Seanca zgjati sërish vetëm pak minuta dhe kryesuesi i seancës, Avni Dehari, i ftoi deputetët të mblidhen sërish pas 48 orësh, më 19 korrik.
Kusari-Lila: Zhbllokimi i Kuvendit do të ishte i lehtë nëse deputetët do të votonin
Deputetja e Vetëvendosjes Mimoza Kusari-Lila tha se procesi i zhbllokimit të Kuvendit do të ishte shumë më i lehtë nëse deputetët do ta kryenin obligimin e tyre kushtetues: votimin, raporton Ekonomia Online.
“Pjesa tjetër e procesit në Kuvendin e Kosovës do të duhej të ishte shumë më e lehtë për t’u zhbllokuar, nëse deputetët do të kryenin obligimin e tyre kushtetues, votimin. Edhe me votat e Nismës nuk arrihet shumica e nevojshme prej 61 votash, pasi bashkërisht arrijnë vetëm në 60”, tha Kusari-Lila.
Qalaj: Kosova po humb shumë, s’po shoh sinjal për ndryshim
Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj tha se qytetarët e Kosovës kanë të drejtë të shqetësohen, pasi sipas tij, Kosova është duke humbur shumë, raporton Ekonomia Online.
“Kosova po humb shumë, si në aspektin politik ashtu edhe të ndihmave nga jashtë. Ju e dini që Kosova është duke rrezikuar një fond 900 milionësh nga Plani i Rritjes.
Nuk shoh ndonjë sinjal që do të ketë ndryshim në bllokadën e krijuar në politikën vendore”
tha Qalaj.
Në lidhje me takimin që po flitet mes kryetarit të VV-së Albin Kurti me kryetarin e Nismës, Fatmir Limaj, Qalaj tha se duhet të ndodhin.
Haziri: LDK-ja s’do të jetë pjesë e një marrëveshjeje Nisma – Vetëvendosje
Deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, hodhi poshtë mundësinë që LDK-ja mund të jetë pjesë e një marrëveshjeje, për të cilën pritet të mbahet takim mes kryetarëve të Nismës Socialdemokrate dhe të Vetëvendosjes, raporton Ekonomia Online
”Është 26 korriku, data e definuar nga Gjykata Kushtetuese”.
(Marrëveshja) S’ka të bëjë me LDK-në. Ka Limaj- Kurti me të tjerët”, tha Haziri.
Haradinaj: Kurti po e mban me vetëdije peng Kuvendin
Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, tha se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është përgjegjës për bllokimin e Kuvendit, raporton Ekonomia Online.
“Besoj se me vetëdije zoti Kurti është duke mbajtur këtë situatë peng, sepse nuk shoh arsye tjetër pse duhet për të ardhur 48 herë me të njëjtin kandidat, kur nuk janë numrat. AAK ka dhënë një ofertë dhe është e gatshme të votojë nëse ndryshohet emri i kandidatit për kryetar të Kuvendit”, tha Haradinaj.
Izmaku: Pres që bisedimet Kurti-Limaj deri në fundjavë të sjellin rezultat
Deputetja e Nismës Socialdemokrate , Xhevahire Izmaku, tha se pret që takimi mes kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, dhe kryetarit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj të zhvillohet deri në fundjavë, raporton Ekonomia Online .
“Pres që bisedimet e deritanishme të sjellin rezultat dhe Kosova të ketë institucione funksionale, Shpresojmë se këto marrëveshje dhe bisedime që kanë zgjatur me muaj të prodhojnë një rezultat”, tha Izmaku.
E pyetur nëse është pirë kafja mes Kurtit dhe Limajt, ajo tha: “Ende jo. Presim që kafja, ose dreka, të pihet deri në fundjavë”.