Përpjekjet për ndërhyrje në pavarësinë e gjyqësorit cilësohen të papranueshme nga kryetarit Rexhepi dhe shefi i EULEX, Barbano

Prishtinë | 17 Kor 2025 | 17:49 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Rexhepi ka pritur sot në takim shefin e misionit të EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano, me të cilin ka diskutuar lidhur me gjendjen e fundit në vend, të krijuar si pasojë e përpjekjeve për ndërhyrje në pavarësinë e gjyqësorit nga pushteti ekzekutiv.

Kryetari Rexhepi theksoi vendosmërinë e Gjykatës që drejton dhe të gjithë sistemit të drejtësisë, për të vazhduar punën, pavarësisht sulmeve e tendencave nga Qeveria në detyrë për të dëmtuar imazhin e gjyqësorit dhe për të penguar funksionimin e pavarur të saj, duke shtuar se institucionet shtetërore janë të obliguara të zbatojnë vendimet gjyqësore, si kusht për funksionimin e shtetit ligjor.

Ndërkaq shefin i EULEX-it, Pietro Barbano, duke dënuar sulmet e fundit, potencoi se e mbështesin fuqishëm Gjykatën Supreme derisa sulmet e Qeverisë në detyrë i cilësoi të papranueshme. Sipas tij, etiketimi dhe atakimi i gjyqtarëve me emra, duke i vendosur ata në rrezik nga ndonjë sulm i mundshëm, është i pa-tolerueshëm dhe i papranueshëm.

Kreu i Supremes e vlerësoi mbështetjen e EULEX dhe të Zyrës së BE-së në Kosovë, duke potencuar se kjo situatë me qeverinë,  tregon dy anë të medaljes, pjesën që gjyqësori është i pavarur dhe anën tjetër të medaljes që qeveria nuk ka arritur deri në atë shkallë të demokracisë, sa t’i pres në paqe vendimet e gjyqësorit.

Kryetari Rexhepi sqaroi se me Këshillin Gjyqësor po punojnë që gjyqësori të jetë i pavarur dhe të ushtrojë funksionet e tij kushtetuese e ligjore.

Takimi i kryetarit Rexhepi me shefin e EULEX Pietro Barbano dhe ekipin e tij, u  zhvillua meqë ndaj Gjykatës Supreme, në dy ditët e fundit pati një varg reagimesh nga Qeveria në detyrë, pasi kjo gjykatë, përmes aktgjykimit P.A.nr.09/2025, shfuqizoi Udhëzimin Administrativ (MFPT) nr.01/2025 për Shfrytëzimin e Pajisjeve Elektronike Fiskale, Sistemeve Fiskale dhe Softuerëve Elektronikë Fiskalë.

Të ngjashme