Detaje të reja për zjarrin: Pronari dyshon se rryma mund të jetë shkak, dëmet rreth 250 mijë euro

Prishtinë | 30 Kor 2025 | 16:09 | Nga Ekonomia Online

Një zjarr shpërtheu pasdite në kompaninë “Izolimi”, afër lokacionit të njohur si “Rrethi i Ismetit” në rrugën Prishtinë-Mitrovicë, raporton Ekonomia Online.

Nuk ka të lënduar, ndërsa disa zjarrfikësve iu dha ndihma e parë, më shumë për shkak të tymit, konfirmoi shefi i ndërrimit të Urgjencës, Shpend Rrustemi.

“Thirrja në Qendrën e Mjekësisë Urgjente është bërë rreth orës 14:25. Menjëherë jemi nisur një ekip të vijmë në vend të ngjarjes. Për momentin nuk ka të lënduar, derisa nja dy apo tre zjarrfikësve është dashur t’u jepet ndihma e parë për shkak më shumë të tymit, për shkak të dioksidit të karbonit u kemi dhënë oksigjen. Parametrat kanë qenë mirë, vitalë. Prapë u janë kthyer punës zjarrfikësit. Sipas nesh gjithçka është nën kontroll. Ka qenë intervenimi shumë i shpejtë i zjarrfikësve. Shumë shpejt e kanë lokalizuar rastin”, tha Rrustemi.

Komandanti i stacionit policor Veri, Faton Shala, tha se shkaktarët e zjarrit ende nuk dihen.

“Rreth orës dy, dy e dhjetë janë marrë informatat për një zjarr tek kompania ‘Izolimi’. Veprimet e para policore kanë qenë evakuimi i personave që kanë qenë në ngjarje. Shkaktarët e zjarrit nuk i dimë. Është bërë evakuimi i personave që kanë qenë afër objektit dhe i punëtorëve. Janë marrë masat adekuate për sigurinë e vendit të ngjarjes dhe të bombolave të brendshme. Veprime të tjera policore – hetimore do të merren në vazhdim. Për veprime të tjera e kemi edhe komandantin e zjarrëfikësve të cilët kanë dhënë ndihmën më të mirë të mundshme”, tha Shala.

Ndërsa, pronari i kompanisë “Izolimi”, Alban Rama, tha se shkak të jetë rryema elektrike.

“Mendohet se u është dhënë një qasje fqinjëve mbrapa të kyçen në rrymë dhe mendohet se prej asaj kyçjeje në rrymë ka filluar e gjitha. Mendohet që dëmi materila të jetë 200- 250 mijë euro. Fatmirësisht, nuk ka pasur të lënduar”, tha Rama.

Të ngjashme