Ka ardhur koha që Dhomave të Specializuara t’u themi stop!

Prishtinë | 01 Gus 2025 | 09:09 | Nga Kadri Kryeziu

Ajo çfarë po ndodh me Dhomat e Specializuara është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, përkatësisht nenin 162. Për më tepër këto veprime janë një akt i sfidimit direkt të nenit 1 dhe nenit 2 të Kushtetutës që përkufizojnë pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.
Pika 4 e nenit 162 të Kushtetutës thotë:
“Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar do të kenë zotësi të plotë ligjore dhe juridike dhe do të kenë të gjitha kompetencat e nevojshme dhe mandatin për veprim, bashkëpunim juridik, asistencë, mbrojtje të dëshmitarëve, siguri, paraburgim dhe vuajtje të dënimit jashtë territorit të Kosovës për këdo që dënohet, si dhe në lidhje me menaxhimin e ndonjë çështjeje të mbetur pas përfundimit të mandatit. Aranzhimet që dalin nga ushtrimi i këtyre kompetencave nuk i nënshtrohen Nenit 18.
Pastaj në pikën 5 të këtij neni thuhet:
“Para hyrjes në ndonjë marrëveshje ndërkombëtare më një shtet të tretë në lidhje me bashkëpunimin juridik, që përndryshe do të kërkonte ratifikim sipas Nenit 18, Dhomat e specializuara do të kërkojnë pajtimin paraprak të Qeverisë”.
Më pas, duke u bazuar në formulimet e mësipërme kushtetuese, te Ligji Nr. 05/L -053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, përkatësisht te neni 4, pika 2, fjala “asistencë” specifikohet si “asistencë gjyqësore”.
Pranimi që Dhomat e Specializuara i kanë bërë dokumenteve ligjore të lëshuara nga Departamenti i Sigurisë Shtetërore, Ministria e Brendshme e Serbisë (MUP) dhe Komanda për “Kosovën dhe Metohinë”, duke e mundësuar përdorimin e tyre si prova në proceset aktuale është ligjërisht problematike.
Fakti që nuk duhet harruar dhe neglizhuar asnjëherë është që Dhomat e Specializuara dhe Prokurori i Specializuar janë pjesë e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës. Një Gjykatë e një shteti nuk mund të pranojë prova nga një shtet tjetër pa një procedurë të veçantë, përkatësisht pa një marrëveshje ndërshtetërore për bashkëpunim juridik, apo aderim të dy shteteve përkatëse në një traktat ndërkombëtar që e mundëson këtë bashkëpunim direkt.
Republika e Kosovës dhe Republika e Serbisë nuk kanë asnjë marrëveshje për bashkëpunim juridik, përfshirë edhe çështjet e asistencës gjyqësore. Pranimi i këtyre dokumenteve për t’u përdorur si prova përbën një shkelje të nenit 162 të Kushtetutës. Kjo gjë është kristal e qartë. Nuk ekziston asnjë argumentim juridik që mund të pohojë se ky veprim i Dhomave të Specializuara nuk është në kundërshtim me Kushtetutën.
Aspekti politik i kësaj problematike është po ashtu i rëndësishëm. Me këtë veprim Dhomat e Specializuara i kanë dhënë legjitimitet dhunës shtetërore të Serbisë ndaj popullit të Kosovës.
Duke u futur në një raport bashkëpunimi me autoritetet e një shteti që pretendon sovranitet mbi Kosovën, Dhomat e Specializuara kanë sfiduar nenin 1 dhe nenin 2 të Kushtetutës, pra, në terma praktikë, e kanë mohuar pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.
Ky veprim jo kushtetues e antishtetëror i Dhomave të Specializuara nuk duhet dhe nuk guxon të tolerohet. Si ish anëtar i Gjykatës Kushtetuese, me 7 Gusht do t’i bashkohem protestës së thirrur nga OVL e UÇK.
Ftoj Presidenten e Republikës, si garantuese e funksionimit kushtetues të të gjitha institucioneve të Republikës, ku bëjnë pjesë edhe Dhomat e Specializuara, që pa humbur kohë të veprojë në mbrojtje të rendit kushtetues dhe pavarësisë e sovranitetit të Republikës së Kosovës.

Të ngjashme