Tridhjetë vjetorin e Operacionit ushtarak „Oluja“ (“Stuhia”) të Armatës së Kroacisë, i cili i dha fund luftës në këtë shtet (në vitin 1995), lidershipi i Serbisë, në krye me Presidentin e saj Alleksandar Vuçiq, e shënoi në atë mënyrë thuajse ende kjo luftë nuk ka marrë fund, apo, që ende nuk është krijuar paqja në këto anë të Ballkanit pas katër luftërave të shkaktuara në harkun kohor 1991-1999 nga pushteti i Beogradit, atëbotë të personifikuar me Slobodan Milosheviqin.
Serbia e Alleksandar Vuçiqit pra, asnjëherë me vullnet dhe me dëshirë nuk ka njohur një Rend rajonal që është krijuar në hapësirat e ish-shtetit të përbashkët (të RSFJ-së), me përjashtim të themelimit të shtetit të Sllovenisë (dihet pse, aty nuk ka pasur asnjëherë prani sinjifikative të komunitetit serb).
Nuk është pra këtu vetëm puna e Kosovës dhe raporteve të Serbisë me Kosovën, të cilat, në atë variantin e synuar nga ana e Bashkimit Evropian dhe të SHBA-së (i cili përherë e më shumë po merr trajtën e një varianti ideal dhe aspak real), do të duhej të karakterizoheshin me një normalitet në marrëdhënie.
Si qëndrojnë punët këtu, kjo është e qartë për këdo që sadopak i përcjellin zhvillimet në relacionet në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Normalizimi i këtyre raporteve, i cili është parakusht për te dy palët nëse duan që sa më parë që është e mundur të anëtarësohen në BE, është vetëm njëri prej segmenteve që shquan paqëndrueshmërinë e stabilitetit dhe të sigurisë në këto anë të Evropës, apo, brishtësinë e tyre.
Në anën tjetër, qasja e Serbisë ndaj Kosovës shfaqet, në një mënyrë apo tjetrën, herë më pak e herë më shumë, edhe kur bëhet fjalë për qasjen/ raportet e Serbisë me shtetet tjera fqinje të saj.
Edhe pse këtu ajo së paku ka njohur pavarësinë e Kroacisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, për te (për Beogradin pra), siç u tha tashmë, ky Rend rajonal është i panatyrshëm, i paqëndrueshëm, artificial, anti-serb dhe në një mënyrë apo tjetrën, herët a vonë, pas disa muajve apo edhe pas disa dhjetëra viteve (Vuçiq ka folur në disa raste për ’Durimin strategjik’ të Azerbeixhanit në kthimin e Nagornji Karbahut i cili gjendej për disa decenie nën kontrollin e Armenisë, këtu ai i kishte natyrisht referencat për kthimin e Kosovës), ky Rend do të duhet të ri-ndreqet duke përfillur interesat gjeostrategjik të Serbisë.
Për këtë shkak ai modeli politik i viteve të nëntëdhjeta i ’Serbisë së Madhe’, tash e disa vjet është zëvendësuar me atë të ’Botës Serbe’, e cila para se të gjithash, është një motërzim i idesë së ’Botës ruse’.
Pushteti i Presidentit Vuçiq në Serbi, nuk ka asnjë interesim, pikërisht për shkak që ai e sheh si të gabuar dhe të panatyrshëm Rendin rajonal që është krijuar në Ballkanin Perëndimor pas luftërave të njëpasnjëshme të Serbisë, që të kontribuojë për sigurinë dhe stabilitetin afatgjatë të kësaj pjese të Evropës. Teksa, ky është kusht pa të cilin nuk bën nëse njëmend dëshirohet integrimi i gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE.
Kjo është pra çështja mbi të gjitha çështjet kur bëhet fjalë për perspektivën reale të rrumbullakësimit politik, gjeostrategjik dhe ekonomik të Bashkimit Evropian me shtetet e mbetura në pritje (tash e sa kohë), të kësaj ane të Evropës që më parë madje, quhej si Evropa Jug-Lindore.
Serbia nuk ka marrëdhënie normale me Kosovën. Por, Serbia, siç u theksua tashmë, dhe siç u kuptua nga gjithë ai shpërthim politik, verbal dhe emocional i Presidentit të saj pak ditë më parë në ceremoninë e shënimit të tridhjetë vjetorit të Operacionit ushtarak “Oluja”, nuk ka raporte normale as me Kroacinë dhe Bosnjën e Hercegovinën. Nuk ka raporte të tilla, realisht, as me Malin e Zi.
Të gjitha janë pasojë e një raporti të munguar tash e tridhjetë vjet në Serbi: Raportit të elitave të saj politike (dhe jo vetëm politike), me historinë e saj të re.
Derisa në Serbi nuk normalizohet marrëdhënia me këtë histori, vështirë është të pritet normalizimi i raporteve me këdo nga shtetet fqinje, duke nisur këtu me Kosovën.