Festimet treditore të dasmës së Dua Lipës dhe Callum Turner në Palermo të Siçilisë kanë nisur zyrtarisht, ndërsa këngëtarja ka tërhequr menjëherë vëmendjen me paraqitjen e saj të parë nga ceremonia luksoze.
Pas ceremonisë civile në Londër, ku u shfaq me një kostum të personalizuar Schiaparelli, Dua ka zgjedhur një stil krejtësisht ndryshe për festimet italiane.
Artistja u fotografua me një fustan të personalizuar nga Bottega Veneta, i realizuar në lëkurë dhe i zbukuruar me pupla të bardha struci.

Modeli elegant kishte një dekolte të rrumbullakët, një pjesë të hapur në shpinë dhe detaje karakteristike të shtëpisë së modës italiane, ndërsa fundi në stil sirene ishte i mbuluar me pupla të bardha.
Pamjen e kompletoi me një çantë të vogël me pupla dhe bizhuteri ari nga Bulgari, shkruan Vogue.

Sa i përket grimit dhe flokëve, Dua zgjodhi një paraqitje natyrale me manikyr rozë transparent dhe flokët e gjatë të lëshuar.
Nga ana tjetër, Callum Turner u shfaq me një kostum lino ngjyrë bezhë dhe këmishë të bardhë nga Jacquemus, të kombinuara me syze dielli të zeza.

Çifti u pa duke mbërritur në pritjen e mirëseardhjes mes muzikës dhe vallëzimit, ku përshëndetën të ftuarit dhe shkëmbyen momente romantike para kamerave.
Në mesin e të ftuarve të njohur ishin Charli XCX, George Daniel, Troye Sivan, Joe Alwyn, Mark Ronson dhe Grace Gummer.
Ndërsa ceremonia kryesore ende nuk është zhvilluar, fansat dhe mediat e modës po presin me interes të shohin se çfarë do të zgjedhë Dua Lipa për paraqitjen e saj të nusërisë në ditën e madhe.
