Sindikata e RTK-së paralajmëron padi ndaj institucioneve nëse nuk ekzekutohen pagat deri më 14 gusht

Prishtinë | 08 Gus 2025 | 12:46 | Nga Ekonomia Online

Sindikata e Punëtorëve të RTK-së ka paralajmëruar se do të dorëzojë padi në gjykatë ndaj përgjegjësve institucionalë nëse deri më 14 gusht 2025 nuk realizohen mjetet për pagat e punëtorëve.

Sipas njoftimit, padia do të kërkojë përgjegjësi ligjore për gjendjen e rëndë financiare të transmetuesit publik dhe cenimin e të drejtave të punonjësve.

Në një reagim zyrtar, Sindikata thekson se punëtorët nuk kanë marrë ende pagat për muajin korrik, ndërsa gjendja ekonomike për stafin vazhdon të rëndohet. Pavarësisht kësaj, ata mbajnë në funksion programin me përkushtim profesional.

Sindikata ka paralajmëruar edhe greva e protesta në përputhje me ligjin, si dhe u ka bërë thirrje institucioneve që të marrin masa urgjente për të shmangur kolapsin financiar të RTK-së.

Të ngjashme