LVV po vetërrëzohet, PDK e LDK pa zgjidhje, duke pritur mrekullinë

Prishtinë | 14 Gus 2025 | 08:31 | Nga Shenoll Muharremi

Duhet me kuptu se kjo bllokadë nuk kalon aq lehtë sa kemi mendu. As nuk është e shkaktuar prej ligjeve e kushtetutës tonë. Burimin e ka në kokat dhe mentalitetin e liderëve politik. Bllokada e paraliza është politike.

Mungesa e vullnetit dhe kulturës me bashkëpunu. Kokëfortësia dhe papjekuria politike dhe shtetërore, përfshi refuzimin me bë kompromise pozitive në të mirën e shtetit dhe publikut… këto janë thelbi i problemit. Thellimi i polarizimit dhe përçarjes mes partive politike gjithashtu. Kjo nuk ka të bëjë shumë me ligje e Gjykata Kushtetuese nuk mundet me i zgjidhë këto gjëra.

E problemi jonë është i thellë gjithashtu se i kemi aktualisht dy kampe kryesore politike. Të majtën të dominuar nga LVV dhe të djathtën ku PDK e LDK bëjnë pjesë.
Përderisa e kemi një situatë ku LVV, e majta, ka dominu në politikë dramatikisht vitet e fundit, sidomos prej 2021, tash kjo parti e ka humbur shumicën, por edhe kredibilitetin dhe besimin. Gjithashtu edhe rrugën dhe kauzat e saj të nisura dekada më herët, nuk janë më. Pra, sistemi politik është në tranzicion nga e majta tek e djathta.

Në anën tjetër e kemi një bllok të djathtë shumë të fragmentuar. Ky problem është nënvlerësu vitin e fundit, por ekziston dhe është pjesë e problemit. Kjo do të bëhet edhe më shumë problem ditët, javët dhe muajt e ardhshëm kur LVV më nuk e ka vullnetin me kriju shumicën dhe dikush tjetër duhet ta bëjë atë.
LDK dhe PDK, këto dy parti të djathta, janë ende larg njëra-tjetrës. Janë në grupin apo bllokun e njëjtë opozitar. Gjithashtu, sipas tyre, ndajnë orientime politike të djathta që kanë të bëjnë me një sektor privat të fuqishëm e qeveri modeste. Investime të fuqishme.

Pra, PDK dhe LDK, të cilat kohën e fundit do të duheshin të ofronin zgjidhje dhe opsion alternativ për shumicë të re, lëvizjen nga e majta në të djathtë, nuk po arrijnë me formu shumicën alternative. Kjo për shkak të dallimeve dhe mosbesimit në nivelet më të larta të partisë, së paku të njërës prej tyre.

Në këto kushte, LVV do të vazhdojë të tkurret… e në anën tjetër, blloku i djathtë nuk do të arrijë, me këtë strategji, qasje e mendësi, me ofru alternativë dhe me bashkëpunu që të krijohet shumica e re parlamentare, rrjedhimisht, institucionet e reja.
Mbi të gjitha, blloku i djathtë po dështon me ofru edhe zgjidhje të krizave të shumta sektoriale. Ata po i dënojnë dhe kanë mospajtime të thella rreth qeverisjes nga LVV (e majta), por nuk ofrojnë zgjidhje alternative.

Sfida jonë politike është e thellë dhe nuk i shihet fundi ende, pavarësisht se Gjykata Kushtetuese do të tregojë rrugën ligjore dhe do vendosë kushte e afate që e ndihmojnë situatën… por problemi nuk është ligjor, por politik.

Kjo situatë, apo e ngjashme, mundet me u manifestu edhe pas zgjedhjeve të ardhshme të jashtëzakonshme nacionale, të cilat do të shihen si zgjidhje e problemit dhe bllokadës aktuale.
Por edhe pas zgjedhjeve të ardhshme, LVV nuk do të arrijë të formojë shumicën, se ajo do të ketë më pak mandate se tani me siguri. E sa për bllokun tjetër, LDK e PDK nuk do të bashkëpunojnë aq sa duhet për të formu bllokun tjetër.

Kjo është një situatë e ndjeshme politike ku nevojiten politikanë dhe liderë të partive të maturuar dhe strategjikë, e që aktualisht ajo që po ndodhë është se po shihet interesi i partive dhe liderëve të tyre, jo interesi publik dhe i Kosovës.
Pa bashkëpunuar dy nga tri partitë e mëdha mes vete për me formu shumicën, nuk ka zgjidhje të krizës politike. E as zgjedhjet e ardhshme, të pashmangshme, nuk e zgjidhin ngërçin. Bashkëpunimi dhe ndryshimi i qasjes po.

Të ngjashme