Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka kërkuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) t’iu vazhdohet masa e paraburgimit Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Për tre të akuzuarit, Prokuroria kërkesat i ka bërë ndaras dhe i ka dorëzuar më 26 gusht 2025, raporton “Betimi për Drejtësi”.Prokuroria thotë se për Veselin, Selimin dhe Krasniqin nuk ka asnjë zhvillim që nga vendimi i fundit për vazhdimin e paraburgimit, që do të mbështesnin ndërrimin e kësaj mase.
Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer krime brenda juridiksionit të DhSK-së, konkretisht për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.Prokuroria thotë se ka mjaftueshëm mundësi reale që Veseli, Selimi dhe Krasniqi të arratisen. Këtë, Prokuroria e argumenton duke përmendur dijeninë e të akuzuarve për akuzat e renda të konfirmuara ndaj tyre dhe dënimin e mundshëm që mund të rezultojë nga ato. Veç kësaj, thuhet se ata kanë njohuri edhe për provat lidhur me këto krime.Përveç kësaj, Prokuroria pretendon se tre të akuzuarit ka rrezik që të pengojnë procedurat dhe përfundimi i çështjes së Prokurorisë nuk e eliminon këtë rrezik për shkak se ekziston rreziku që dëshmitarët të pengohen edhe pas dhënies së dëshmisë së tyre.Prokuroria përmend vlerësimet e gjykatës, duke shtuar se rreziku i ndërhyrjes përfshinë çdo përpjekje për t’u hakmarrë ndaj dëshmitarëve që kanë dëshmuar në këto procedura, përpjekje për të nxitur tërheqjen e dëshmive dhe përpjeke për të ndërhyrë në dëshmitarë në procedura paralele.