Shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Gezim Sveçla, ka reaguar ndaj vendimit të fundit të kryetarit Përparim Rama për rikthimin e pagesës së detyrueshme dhe gjobave në “Prishtina Parking”.
Sveçla ka thënë se aktivizimi i masave ndëshkuese pa ndryshuar dhe plotësuar Rregulloren nga Kuvendi Komunal është i jashtëligjshëm.
Sipas tij, që nga muaji maj, kur Gjykata Supreme rrëzoi disa dispozita të Rregullores, ekzekutivi i Prishtinës ka pasur kohë të mjaftueshme ta sjellë ndryshimin në Kuvend, por nuk e ka bërë.
“Çdo gjobë e shqiptuar në këtë periudhë është e kontestueshme dhe cenon drejtpërdrejt parimin e legalitetit. Përgjegjësia bie mbi ekzekutivin që po vepron pa bazë ligjore dhe në kundërshtim me vendimin e gjykatës më të lartë në vend”, ka shkruar Sveçla.