Simpatia çdo ditë e më e dobët për Glauk Konjufcën

Prishtinë | 09 Sht 2025 | 15:53 | Nga Emal Mulosmani

Nga Vetëvendosja e kam një simpati konstante (për hir të së vërtetës çdo herë e më të dobët) për Glauk Konjufcën. Ai ka qenë më i kursyer me patetizma dhe nacionalizma dhe e ka njëfarë sensi të humorit. Psh, kur propozoi një kandidate të VV për Kryetare Parlamenti dhe deputetët opozitarë shpërthyen në të qeshura, Glauku u kthye dhe dekalroi:

“Ju lutem mos qeshni por votojeni”.

Kishte shumë humor ajo fjali. Edhe vetë Glauku në tonalitet po e tallte zgjedhjen e Partisë së tij.

Dje e paskan nxjerrë me bo avokatinë e Partisë duke akuzuar Opozitën si tradhtare e shtetit të Kosovës. Besoj se është haraçi që duhet të paguajë për qenien në atë Parti. Këtu jam dashamirës me të, ishalla është kështu. Më e keqja është nëse i mendon ato që i thotë.

Përndryshe është absurde. Të akuzosh Opozitën se pse nuk është konstruktive me zgjedhjet e Partisë fituese, e para duhet që Partia propozuese të ketë qenë bashkëpunuese kur ka qenë në Opozitë.

Fakti është që Vetvendosje! ka qenë kundërshtuesja më e ashpër e çdo propozimi që vinte nga pushteti i kohës.

Në përgjithësi, vota “Pro” nuk është një problem i Opozitës. Është detyrë e Partisë fituese që të gjejë modalitetet, të ofrojë bashkëpunim dhe tolerojë nga pushteti i saj i ardhshëm në mënyrë që të joshë Opozitën ose fragmente Opozitare të domosdoshme për të miratuar kalimin e ccdo votimi ku kërkohet shumica.

Nëse e gjithë Opozita është bllok kundër Partisë së parë, problemi nuk është Opozita, është Partia e parë. Problemi duhet të shihet te vetja.

Pse gjithë këta “hajdutë” e “tradhtarë” ka në Kosovë? Nëse 72 deputetë janë “hajdutë dhe tradhtarë” dhe vetëm 48 janë të dlirë e patriotë, atëherë, Qeverinë duhet ta bëjnë hajdutët. Ose duhet me gjetë ndonjë hajdutë prej çetës dhe me e rikthye në gjirin e të dlirëve. Si qershitë e Nastradinit.

Por gjithmonë kjo është detyrë e Partisë fituese.

Të ngjashme