Mijëra qytetarë në protestën në Hagë, kundër çdo padrejtësie ndaj çlirimtarëve

Prishtinë | 14 Sht 2025 | 15:41 | Nga Ekonomia Online

Mijëra qytetarë nga mërgata, nga Kosova dhe viset e tjera shqiptare protestuan në Hagë, duke kërkuar drejtësi për ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Protesta në kryeqytetin holandez u mbajt në një park që gjendet afër selisë së Gjykatës Speciale, siç u kumtua, për shkaqe sigurie, edhe pse para fillimit të protestës, një numër protestuesish u mblodhën edhe para Gjykatës Speciale. U vunë re forca të shtuara policore të Holandës. Protesta kaloi pa ndonjë incident.


Protesta u thirr nga mërgata shqiptare dhe u mbështet nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Në nisje të protestës u intonua himni kombëtar shqiptar dhe himni shtetëror i Kosovës.

U paraqit me këngë atdhetare këngëtari i njohur, Arif Vladi.

Koci: UÇK-ja s’ishte pushtuese, ish-krerët e UÇK-së po gjykohen me akuza të pabaza

Ish-pjesëtari i UÇK-së, njëherësh bashkëorganizatori i protestës, Fatmir Koci, tha se UÇK-ja nuk ishte as agresore e as pushtuese, por sot ish-krerët e UÇK-së po gjykohen me akuza të pabaza, raporton Ekonomia Online.

“Nuk do të pranojmë asnjëherë këtë padrejtësi ndaj tyre. Shteti serb ka kryer krime të tmerrshme gjatë luftës dhe nuk ka dhënë asnjë llogari”, tha Koci.

Ai kritikoi Qeverinë e Kosovës për heshtje, duke theksuar se nuk ka mbrojtur shtetasit e saj.

“Specialja është mjet i padrejtësisë. Kërkojmë hetim të drejtë e të paanshëm për krimet e kryera gjatë luftës. Kërkojmë drejtësi për ata që luftuan për lirinë tonë”, tha Koci.

Gucati: Drejtësia s’duhet të shndërrohet në instrument politik

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së, Hysni Gucati, tha se nga Haga i bën thirrje Evropës që nuk duhet të lejohet që drejtësia të shndërrohet në instrument politik, raporton Ekonomia Online.

Gucati, ish- i burgosuri i Gjykatës Speciale, tha se në këtë protestë po flasin për dinjitetin e popullit, drejtësinë që u është mohuar dhe historinë e shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“UÇK nuk lindi nga urrejtja por nga padrejtësia. Liria nuk ishte dhuratë, por ishte sakrifica e djemve dhe vajzave që ranë për flamur e tokë. Jemi pasardhësit e një ushtrie që nuk u përkul as përpara tankeve dhe as përpara helikopterëve serbë. Evropa nuk duhet të lejojë që drejtësia të shndërrohet në instrument politik. Bota demokratike nuk mund t’i mbyll sytë para një padrejtësie kaq të madhe.
UÇK-ja nuk luftoi asnjëherë për pushtet, por për liri. Drejtësia duhet të jetë e njëjtë. Serbët që kanë kryer krime gëzojnë lirinë”, tha Gucati, duke bërë thirrje që çlirimtarët të mos gjykohen si kriminelë.

Bosch: Ta quash UÇK-në organizatë kriminale është ofendim i madh për NATO-n

Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, që kishte shërbyer në Kosovë në kohën kur u themelua Specialja, tha se atëbotë ishte udhëzuar nga Qeveria e tij të bënte presion që të themelohej kjo gjykatë, raporton Ekonomia Online .

Bosch u tha protestuesve se nuk i pëlqente kjo ide, sepse i dukej e pakuptimtë që serbët të mos gjykoheshin nga kjo gjykatë, por e bëra punën time.

“Më kujtohet kur e takova Thaçin, ai ishte i shqetësuar. Por, i thashë nuk ke pse të shqetësohesh, sepse gjykimi është i drejtë. Ti do të jesh i lirë për shkak të mungesës së provave”, tha Bosch.
UÇK-ja ishte çizmja e NATO-s në terren”, tha ai.

Bosch kritikoi akuzën e bërë nga Prokuroria e Specializuar që i cilëson ish-krerët e UÇK-së si pjesë e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale.

“Ta quash UÇK-në organizatë kriminale është ofendim i madh për NATO-n, sepse NATO-ja nuk bashkëpunon me organizata kriminale”, tha ai.

Ish-drejtuesit e UÇK-së, ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi dhe ish-deputeti, Rexhep Selimi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat i kanë hedhur poshtë të katërtit.

Protesta në Hagë u mbajt një ditë para se mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së të nisë paraqitjen e provave të saj dhe dëshmitarëve.

Ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, do të nisë dëshminë e tij para Speciales më 15 shtator, në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së.

Paneli i gjyqtarëve i Dhomave të Specializuara parasheh që deri më 14 nëntor ose një javë pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit të fundit të përmbyllë rastin e mbrojtjes të Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit.

Ky panel po ashtu pret që mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së të jetë e përgatitur që të paraqesë shkresat përfundimtare të gjykimit para 22 dhjetorit të këtij viti.

Të ngjashme