Dëshminë e ish-ndihmëssekretarit të Shtetit, James Rubin po e sheh si një tregues të fakteve përballë dezinformatave rreth luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), kryetari i Drenasit Ramiz Lladrovci. Ai nëpërmjet një shkrimi në “facebook” ka shkruar se në Hagë po hapen faqet e dëshmive e që lufta çlirimtare nuk njolloset.
“Sot në Hagë, hapen faqet e dëshmive, të vërtetës për UÇK-në, të vërtetat për heronjtë tanë të luftës dhe paqes. Ata që nuk e dinë, mund ta mësojnë rrolin historik në luftën çlirimtare të Hashimit, Kadriut, Jakupit, Rexhës dhe e vërteta e luftës tonë të drejtë të zhvilluar në pajtim me konventat ndërkombëtare. Këto dëshmi të personaliteteve liridashëse në Hagë, do të jenë fakte përballë dezinformatave të kuzhinës serbo-ruse. Lufta jonë çlirimtare nuk njolloset, krerët e luftës tonë çlirimtare janë të pafajshëm dhe lufta jonë ishte e drejtë. Historia e UÇK-së është historia më e ndritur e kombit tonë, pas Epopesë së Skënderbeut. Ju presim të pafajshëm çlirimtarë!”, ka shkruar Lladrovci.