Një grup i grave veterane dhe bashkëluftëtareve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë zhvilluar aksion simbolik tek “Ora e Pritjes”, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, raporton Ekonomia Online.
Shyhrete Kastrati tha se gratë veterane dhe bashkëluftëtaret e tyre kanë dalë në shesh për të dëshmuar se edhe ato ishin pjesë e luftës së UÇK-së.
“Ne ishim aty ku Kosova kishte nevojë për bijat e saj. Ishim bashkë në të gjitha proceset, qoftë ushtarake, qoftë civile. Në frontet e luftës, në spitalet ushtarake në male, në rrugët e Kosovës, pranë popullit tonë në ditët më të vështira”.
Ajo tha se bashkë me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin kanë luftuar dhe sakrifikuar për lirinë e Kosovës.
“Të gjithë bashkë, si pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me vullnetin tonë të lirë, i dolëm zot atdheut dhe nënës tonë, duke sakrifikuar rininë, familjen dhe jetën tonë për një Kosovë të lirë.
Duke qenë pjesë e kësaj historie, ne, bashkëluftëtaret tona të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që sot po gjykohen në Hagë, duam t’ju bëjmë me dije se ne luftuam, sakrifikuam dhe rrezikuam bashkë për të njëjtin qëllim: lirinë e Kosovës.
Prandaj, sot askush nuk ka të drejtë të na ndajë nga ata me të cilët ndamë luftën dhe fatin e Kosovës. Bëjmë me dije se ajo që po ndodh në Hagë nuk është vetëm një proces ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, por prek të gjithë ne, sepse aty po gjykohet dhe po preket një pjesë e historisë sonë, e luftës sonë dhe e të gjithë atyre që ishin pjesë e saj”, tha Kastrati.
Kastrati shprehu shqetësim edhe për përdorimin e materialeve dhe provave të siguruara nga Serbia në procesin gjyqësor në Hagë, duke kërkuar që drejtësia të bazohet në prova të besueshme dhe të verifikueshme.
“Për ditë me radhë kemi parë këtë proces gjyqësor në Hagë dhe kemi parë shqetësimet e ngritura nga mbrojtja lidhur me trajtimin e provave dhe kërkesave të saj. Për ne, veçanërisht shqetësuese është çështja e materialeve dhe provave të siguruara nga Serbia — shteti kundër të cilit Kosova luftoi.
E vërteta për luftën e Kosovës duhet të kërkohet mbi prova të besueshme, të verifikueshme dhe të shqyrtuara në mënyrë të paanshme, e jo mbi interesa politike apo narrativa të palëve që kryen gjenocid ndaj nesh dhe që edhe sot përpiqen ta relativizojnë atë”, theksoi ajo.
Kastrati tha se drejtësia duhet të jetë e pavarur dhe pa ndikime politike. Ajo theksoi se gratë veterane dhe bashkëluftëtaret nuk do të heshtin përballë, siç tha ajo, tjetërsimit të luftës së Kosovës.
“Prandaj, në këtë ditë kur pritet vendimi aktgjykues në Hagë, zëri ynë është i qartë: Ne ishim aty. Ne luftuam bashkë. Ne sakrifikuam bashkë. Ne e fituam lirinë bashkë.
Dhe për ne, nëse drejtësia bëhet mbi prova të besueshme, të ditshme dhe pa ndikime politike, veç një drejtësi është e pranueshme: pafajësia e tyre”, shtoi ajo.


