Privatësia e policëve në shënjestër? Ramadani: Suspendimi u bë për arsye politike

Prishtinë | 17 Sht 2025 | 15:51 | Nga Ekonomia Online

Katër pjesëtarë të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës janë suspenduar, pasi në një grup privat kolegësh kishin reaguar me emoji ndaj një fotografie të kryekuvendarit Dimal Basha.

Ish-kryeinspektori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), Burim Ramadani, në një intervistë për Kosova Live e ka cilësuar këtë veprim si cenim të privatësisë së policëve dhe shfrytëzim të rastit për arsye politike.

“Secili polic, përveç detyrës, ka edhe privatësinë e vet. Nuk mund të merret një komunikim i brendshëm mes kolegësh dhe të kthehet në arsye për masa disiplinore. Kjo është shkelje e të drejtës themelore të privatësisë”, deklaroi ai.

Ramadani shtoi se për 26 vjet është investuar në ndërtimin e besimit dhe profesionalizmit të institucioneve të sigurisë, por vendime të tilla rrezikojnë të shndërrohen në presion politik të papranueshëm ndaj Policisë së Kosovës.

Sipas tij, suspendimi është masë e rëndë, e cila merret vetëm në rast të shkeljeve serioze disiplinore ose penale dhe në këtë rast nuk ekziston asnjë element i tillë.

Të ngjashme