Uniforma ushtarake, antiplumbë, karikatorë të armës së gjatë AK-47 me municion si dhe mjete tjera ushtarake u gjetën sot në Zveçan. E krejt ky municion ishte gjetur në pronën e Nemanja Radivojević – i njohur me nofkën “Gandi”.
Por kush është “Gandi”?
“Gandi” është i dyshuari kryesor për shpërthimin e bombës që ia mori jetën rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku më 24 shtator të 2023 në Basnjka të Zveçanit.
“Gandi”është i afërt i Vladimir Radivojeviq që njihet nofka “Mami”, i cili është i dyshuari kryesor për vrasjen e rreshterit policor të Kosovës, Afrim Bunjaku. “Mami” raportohej se ishte ndër njerëzit më me ndikim te kryekrimineli Milan Radojçiq, e që ky i fundit ishte udhëheqësi i sulmit terrorist serb në Zveçan, shkruan Ekonomia Online.
Lidhja e “Gandit” me sulmin në kanalin e Ibër Lepencit në Varagë të Zubin Potokut
Një tjetër sulm terrorist nga aparati shtetëror serb në kanalin e Ibër – Lepenc në Varagë të Zubin Potokut kishte ndodhur më 29 nëntor 2024. Edhe këtu i përfshirë ishte “Gandi”.
Për këtë pati shkruar edhe zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, një ditë pas sulmit.
“Me një komunikatë të gjatë Lista Serbe u nxitua mbrëmë që të distancohet nga sulmi terrorist i eksplodimit në kanalin Ibër-Lepenc në Varagë të Zubin Potokut, kur pakçka dihej. Ministri i jashtëm serb, Marko Gjuriq, u distancua vetëm që të mund ta sulmojë Kryeministrin Albin Kurti. Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq sot tha që nuk deshi të nxitohej në distancim të hershëm. Ndërkohë, kështu kanë thënë edhe për sulmin në Banjskë të Zveçanit kur e vranë rreshterin e policisë sonë, Afrim Bunjakun. Janë distancuar por ende e mbështesin dhe financojnë Millan Radoiçiqin i cili qarkullon nëpër Serbi dhe planifikon e organizon sulme mbi Kosovën nga ana tjetër e kufirit. Dora e djathtë e tij, Nemanja Radivojeviq – Gandi, është i dyshuari për sulmin me granatë dore në stacionin e policisë në Zveçan më 26 nëntor 2024, e që bashkë me sulmin në ndërtesën e komunës atje më 28 nëntor 2024, i paraprinë sulmit terrorist e kriminal ndaj infrastrukturës kritike që na mundëson ftohjen e termoelektranave që prodhojnë energjinë elektrike dhe furnizimin me ujë të disa komunave të Kosovës përfshirë një pjesë të kryeqytetit, Prishtinës”, pati shkruar Bislimi.
Por çka shkroi Xhelal Sveçla sot (18.09.2025)?
“Sot, në pronën e Nemanja Radivojević – i njohur si “Gandi”, janë gjetur municion, pajisje ushtarake, policore dhe veshje kamuflazhi. Ky person është i dyshuari kryesor për shpërthimin e bombës që mori jetën e Heroit të Kombit, Rreshterit policor Afrim Bunjaku, më 24 shtator 2023 në Banjskë. Për aq kohë sa Serbia refuzon t’i dorëzojë këta persona, ata mbeten një rrezik i drejtpërdrejtë për Republikën tonë. Pajisjet e gjetura sot janë dëshmi të qarta se ky grup kriminal, i dirigjuar nga Serbia, ka bërë përgatitje të gjata dhe nuk ka hequr dorë kurrë nga përpjekjet për të cenuar rendin juridik e kushtetues të Republikës së Kosovës. Por shteti ynë, institucionet tona të sigurisë, janë më të shtrira e më të forta se kurrë në këtë pjesë të vendit dhe nuk do të tolerojnë as edhe një grimcë të këtyre elementeve kriminale e terroriste të cenojnë Kosovën”, shkroi Sveçla.