Bordi i Drejtorëve dhe Menaxhmenti i KEK mbikëqyrin nga afër proceset e remonteve dhe investimet kapitale në TC Kosova B

Prishtinë | 24 Sht 2025 | 14:58 | Nga Ekonomia Online

Bordi i Drejtorëve i KEK sh.a., i kryesuar nga Valdrin Krasniqi, së bashku me Kryeshefin Ekzekutiv, Gramos Hashani, dhe Sekretarin e Korporatës, Alban Krasniqi, kanë zhvilluar sot një vizitë pune në Termocentralin “Kosova B”.

Gjatë kësaj vizite pune, u mbikëqyrën nga afër punimet e remonteve në njësitë gjeneruese, me theks të veçantë përgatitjet për sezonin dimëror dhe zbatimin e projekteve kapitale në kuadër të modernizimit dhe rritjes së jetëgjatësisë së njësive gjeneruese në TC Kosova B. Ndër projektet kryesore që po realizohen në këtë njësi është projekti i turbinave, i cili paraqet një investim strategjik për rritjen e efikasitetit dhe sigurinë afatgjatë të operimit.

Menaxhmenti dhe Bordi u informuan gjithashtu për ecurinë e punimeve teknike, masat e ndërmarra për sigurimin e prodhimit të pandërprerë të energjisë elektrike dhe planin e remonteve të parapara për këtë vit.

Bordi i Drejtorëve dhe Kryeshefi Ekzekutiv vlerësuan angazhimin e punëtorëve dhe theksuan rëndësinë e zbatimit të standardeve më të larta të sigurisë dhe mirëmbajtjes, si faktorë kyç për garantimin e operimeve në njësitë gjeneruese.

KEK mbetet i përkushtuar të rrisë sigurinë e operimeve në njësitë gjeneruese, duke realizuar me kohë të gjitha detyrimet që ndërlidhen me mirëmbajtjen e kapaciteteve ekzistuese dhe zbatimin e projekteve kapitale.

Të ngjashme