Eksperti ligjor Robert Muharremi vlerëson se Kuvendi i Kosovës mund ta ndryshojë një ligj të kthyer nga Presidentja për rishqyrtim, për t’i adresuar arsyet e kthimit. Në analizën e tij, ai kundërshton interpretimin se deputetët mund vetëm ta konfirmojnë tekstin e miratuar më parë ose ta rrëzojnë atë.
Muharremi argumenton se një kufizim i tillë do ta zhvishte rishqyrtimin nga përmbajtja, pasi Kuvendi nuk do të mund t’i korrigjonte pikërisht ato probleme për të cilat Presidentja e ka kthyer ligjin.
“Nëse Kuvendi do të kishte të drejtë vetëm ta rivotonte tekstin identik të ligjit pa pasur mundësi ta korrigjojë apo ndryshojë atë për të adresuar arsyet e cekura nga Presidenti, atëherë detyrimi kushtetues që Presidenti të paraqesë arsyet specifike dhe që ligji t’i nënshtrohet rishqyrtimit do të humbiste çdo kuptim substancial”, shkruan Muharremi.
Në mbështetje të këtij argumenti, ai i referohet nenit 84, paragrafi 6, të Kushtetutës, që i njeh Presidentit të drejtën e kthimit të ligjeve për rishqyrtim, si dhe nenit 80, paragrafi 3, që e detyron t’i paraqesë arsyet e kthimit.
Sipas tij, pamundësia për të ndërhyrë në tekst do ta detyronte Kuvendin ose ta rrëzonte një ligj të nevojshëm për shkak të një çështjeje të korrigjueshme, ose ta miratonte përsëri me të njëjtin problem.
Muharremi trajton edhe Aktgjykimin KO57/12 të Gjykatës Kushtetuese, të datës 20 shtator 2012, duke theksuar se ai nuk vendos ndalim për ndryshimin e ligjit të kthyer nga Presidenti.
“Në Aktgjykimin KO57/12 të datës 20 shtator 2012, Gjykata Kushtetuese nuk konstatoi se Kuvendi nuk ka të drejtë të ndryshojë ligjin e kthyer nga Presidenti për të adresuar arsyet për të cilat është kthyer”, thekson ai.
Eksperti ligjor shpjegon se në atë rast Presidentja nuk kishte kontestuar ndonjë dispozitë të veçantë si të dëmshme, por kishte propozuar një nen të ri pa ndjekur procedurën e nismës legjislative sipas nenit 79 të Kushtetutës.
Ai nënvizon se Kuvendi kishte votuar drejtpërdrejt mbi amendamentin e propozuar nga Presidentja dhe jo për rikonfirmimin e ligjit fillestar. Sipas analizës së tij, Gjykata nuk kishte konstatuar shkelje të nenit 80, paragrafi 4, gjatë kësaj procedure.
Muharremi rikujton gjithashtu se aktgjykimi i referohet praktikës parlamentare në Kosovë, ku Kuvendi kishte miratuar vërejtjet e Presidentit me 61 vota dhe ligji më pas ishte konsideruar i shpallur me këto vërejtje.
Një tjetër argument i tij lidhet me Rregulloren e Punës së Kuvendit. Ai shpjegon se ligji i kthyer nuk dërgohet drejtpërdrejt vetëm për votim në seancë plenare, por kalon në komisionin përgjegjës raportues për shqyrtimin e arsyeve të kthimit.
Sipas Muharremit, Rregullorja nuk ia ndalon këtij komisioni të rekomandojë amendamente që lidhen me vërejtjet e Presidentit. Ndërkaq, kërkesa për së paku 61 vota përcakton shumicën e nevojshme për përmbysjen e vetos dhe nuk përbën, sipas tij, ndalim për propozimin e ndryshimeve.
Në përfundim, eksperti ligjor u referohet neneve 63 dhe 65, paragrafi 1, të Kushtetutës, për të theksuar rolin e Kuvendit si institucioni që ushtron pushtetin legjislativ dhe miraton ligje.
“Vetoja presidenciale është mekanizëm i kontrollit dhe balancimit të ndërsjellë kushtetues (checks and balances) dhe pjesë e një dialogu kushtetues mes dy organeve kushtetuese”, shkruan Muharremi.
Sipas tij, në këtë proces Presidenti identifikon problemet që i konsideron të dëmshme për interesin shtetëror, ndërsa Kuvendi mund t’i korrigjojë përmes amendamentimit të ligjit. Për këtë arsye, ai vlerëson se ndërhyrjet për t’i adresuar arsyet e kthimit përmbushin funksionin korrigjues të vetos presidenciale.