Tranzicioni i Gjelbër dhe i Drejtë për Kosovën: 70 familje në nevojë përfitojnë masa për efiçiencë të energjisë

Prishtinë | 26 Sht 2025 | 10:40 | Nga Ekonomia Online

70 familje në nevojë kanë përfituar nga masa për efiçiencë të energjisë. Kështu kanë njoftuar nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE), të cilët më tej kanë njoftuar edhe për iniciativën që synon përmirësimin e kushteve të banimit dhe rritjen e efiçiencës së energjisë për familjet në nevojë.

“Përfituesit janë identifikuar nga lista e përfituesve të Asistencës Sociale në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), bazuar në kritere të përcaktuara nga ekspertët e institucioneve përkatëse. Përparësi u është dhënë dy kategorive të familjeve:ku kryefamiljari është prind vetushqyes; që kanë persona me aftësi të kufizuar”, thuhet në komunikatë për media.

Brenda këtyre kategorive, janë zbatuar kriteret për përzgjedhjen e familjeve:  me më shumë pensionistë, me më shumë persona me aftësi të kufizuar, me prindër vetushqyes, që i përkasin komuniteteve jo shumicë, me numër më të madh anëtarësh, me më shumë anëtarë nën 18 vjeç, dhe varësisht nga burimi i energjisë që përdorin.

Pas identifikimit të përfituesve potencialë, në bashkëpunim me Qendrat për Punë Sociale (QPSH), është iniciuar një proces verifikimi në terren, i cili ka përfshirë vizita në shtëpi dhe mbledhjen e dokumentacionit të nevojshëm, si faturat e energjisë elektrike, certifikatat e pronësisë dhe të dhënat familjare.

Kjo mbështetje mundësohet nga projekti “Rruga gjithëpërfshirëse dhe e drejtë drejt vitit 2030: E ardhmja e energjisë së gjelbër”, i financuar nga Qeveria e Danimarkës, në partneritet me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP). UNDP po punon ngushtë me FKEE-në dhe Ministrinë e Ekonomisë për zbatimin e këtij projekti.

Në vitin 2025, projekti synon të zbatojë masa për efiçiencë të energjisë deri në 70 shtëpi, duke kontribuar në përmirësimin e kushteve të jetesës, uljen e varfërisë energjetike dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të gjelbër për këta banorë.

 Deri në vitin 2027, projekti planifikon të përfshijë deri në 200 shtëpi të përzgjedhura nga lista e përfituesve të ndihmës sociale, sipas kritereve të rrepta të pranueshmërisë dhe vlerësimit.

Ky projekt përbën një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një sistemi energjetik më të drejtë dhe gjithëpërfshirës në Kosovë, një sistem në të cilin askush nuk mbetet pas në rrugën drejt zhvillimit të qëndrueshëm.

Të ngjashme