Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka kërkuar rikthimin e dialogut të rregullt ndërmjet partnerëve socialë dhe funksionalizimin e Këshillit Ekonomik-Social (KES), i cili, sipas kësaj organizate, nuk po funksionon që nga viti 2022.
Kërkesa u bë nga kryetari i AKB-së, Agim Shahini, në takimin e parë të partnerëve socialë të organizuar nga Ministria e Punës, e udhëhequr nga ministri Andi Hoti. Në takim morën pjesë përfaqësues të punëdhënësve dhe punëmarrësve, përfshirë AKB-në, Odën Ekonomike të Kosovës (OEK), BSPK-në dhe sindikatat sektoriale.
Shahini e ka përshëndetur iniciativën e Ministrisë së Punës për rikthimin e dialogut social, por ka theksuar se ky proces është vonuar për rreth tri deri në katër vjet.
“Është mirë që Qeveria dhe Ministria e Punës i kanë ftuar partnerët socialë për të diskutuar çështjet me rëndësi për vendin, por është e papranueshme që dialogu ndërmjet partnerëve socialë të ketë munguar për kaq gjatë. Kosova ka nevojë për komunikim të vazhdueshëm, bashkëpunim institucional dhe vendime që marrin parasysh interesat e punëdhënësve dhe punëmarrësve”, ka theksuar Shahini.
Sipas tij, ndër çështjet kryesore që kërkojnë trajtim janë paga minimale, kushtet e punës së punëtorëve, marrëveshja kolektive dhe funksionalizimi i Këshillit Ekonomik-Social.
Shahini ka thënë se mosfunksionimi i këtij mekanizmi nuk duhet t’u atribuohet automatikisht partnerëve socialë, por duhet të shqyrtohen procedurat dhe pengesat institucionale që kanë ndikuar në zvarritjen e funksionalizimit të tij.
“I nderuar ministër, AKB-ja është e gatshme të japë kontributin e saj profesional dhe institucional, ashtu siç ka bërë që nga fillimi i funksionalizimit të Këshillit Ekonomik-Social. Ne besojmë se problemet e tregut të punës nuk zgjidhen me përplasje, por me dialog, përgjegjësi dhe marrëveshje konkrete ndërmjet partnerëve socialë”, është shprehur ai.
Kryetari i AKB-së ka vënë në pah edhe përvojën e kësaj organizate në përfaqësimin e bizneseve, si dhe pjesëmarrjen e saj në Këshillin Ekonomik dhe Social Evropian (EESC) në Bruksel, duke e konsideruar këtë një mundësi për të sjellë përvoja dhe praktika evropiane në Kosovë.
Në fund, AKB-ja ka kërkuar që takimi të mos mbetet vetëm formal, por të shërbejë si pikënisje për dialog të rregullt, marrjen e vendimeve konkrete dhe funksionalizimin e plotë të Këshillit Ekonomik-Social.
“Kosovës i duhet një partneritet social funksional, ku mbrohen të drejtat e punëtorëve, krijohen kushte të qëndrueshme për bizneset dhe ndërtohet një ekonomi më konkurruese, me më shumë vende pune dhe mirëqenie për qytetarët”, thuhet në reagimin e AKB-së.