QKSS: Marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë më të mira në nivel lokal se në atë politik

Prishtinë | 30 Sht 2025 | 11:14 | Nga Drita Dërmaku

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka mbajtur një panel-diskutim publik me temën “Raportimi mediatik mbi marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë”, raporton Ekonomia Online.

Në këtë panel, QKSS, duke iu referuar hulumtimit të zhvilluar nga nëntori 2024 deri në korrik 2025, vuri në pah marrëdhëniet e mira ndëretnike. Ky vlerësim erdhi pas diskutimeve të zhvilluara me qytetarët e gjashtë komunave: Kamenicë, Graçanicë, Viti, Lipjan, Shtërpcë dhe Gjakovë.

“Në të gjitha komunat, pjesëmarrësit i përshkruan marrëdhëniet ndëretnike ndërpersonale si të forta, shpesh në kontrast me mënyrën se si situata perceptohet në nivel të politikës kombëtare, konkretisht në dialogun zyrtar ndërmjet qeverive të Kosovës dhe Serbisë, i cili aktualisht është i bllokuar për shkak të disa rrethanave. Në fakt, siç vunë në dukje shumë pjesëmarrës, komunikimi në nivel lokal është mjaft pozitiv,” tha Jeta Loshaj nga QKSS.

Gazetarja nga Radio Kosova 2, Zulfija Jakupi, tregoi se si komuniteti serb në Kosovë shpesh ekzagjeron raportimet.

“Ne realizojmë vendimet e institucioneve që janë të rëndësishme për të gjithë qytetarët dhe mundohemi të raportojmë në mënyrë profesionale. Një qasje e tillë në raportim do të duhej të vlente për të gjitha mediat në Kosovë. Shpesh e vërejmë që raportimi në mediat shqipe e serbe u jep ngjarjeve ngjyrime të ndryshme. Në mediat në gjuhën shqipe, incidentet ndonjëherë paraqiten të ekzagjeruara, ndërsa shumë rrallë shohim deklarata të përfaqësuesve politikë apo qytetarëve serbë të Kosovës. Në shumicën e rasteve, raportimi në mediat shqipe bazohet në deklarata të zyrtarëve nga Serbia, dhe jo në zërin e serbëve që jetojnë në Kosovë. E njëjta vlen edhe për mediat serbe, të cilat rrallë paraqesin qëndrimet e qytetarëve shqiptarë,” tha Jakupi.

Ajo theksoi gjithashtu se mediat serbe shpesh e paraqesin komunitetin e tyre si viktimë.

“Në mediat në gjuhën serbe shpesh vërehet një diskurs ku vetëm serbët paraqiten si viktima. Theksohet ideja se vetëm ata janë të cenuar. Po ashtu, fokusi shpesh mbetet në Beograd, duke i paraqitur autoritetet atje si mbrojtësit kryesorë të komunitetit serb në Kosovë. Kjo krijon përshtypjen se serbët janë duke u larguar nga Kosova për shkak të presionit. Kam vërejtur se edhe mediat shqipe, kur raportojnë për ndonjë ngjarje të caktuar, zakonisht mbështeten vetëm në deklarata zyrtare të Policisë apo institucioneve shtetërore, ndërsa rrallë pasqyrojnë qëndrimet apo reagimet e serbëve që jetojnë në Kosovë,” shtoi ajo.

Nga ana tjetër, gazetari i Radios Kim, Isak Vorgučić, foli për rolin e gazetarisë profesionale.

“Përgjegjësia e gazetarëve është ta kryejnë punën e tyre në mënyrë profesionale. Nëse mediat e përmbushin detyrën e informimit të balancuar, ato duhet të përfshijnë të gjitha palët relevante. Kur paraqiten mendime pro dhe kundër apo qasje të ndryshme ndaj një çështjeje, media e ka kryer funksionin e saj. Qëllimi i gazetarit është të informojë në mënyrë të drejtë, dhe kur kjo bëhet si duhet, tensionet nuk shtohen, përkundrazi, zvogëlohen. Nëse mediat bartin informacionin profesionalisht, ekziston potenciali që mosmarrëveshjet të zbuten ose të zgjidhen. Jemi 26 vite pas luftës dhe ende jetojmë në një ambient të ndjeshëm e me sfida të mëdha, prandaj roli i mediave është edhe më i rëndësishëm. Ato duhet t’i qasen me kujdes temave që janë të ndjeshme e ende të freskëta për shumë njerëz. Fatkeqësisht, nuk shohim profesionalizëm nga të gjitha mediat, madje as nga ato që paraqiten si të tilla,” u shpreh ai.

Të ngjashme