Gucati: Qeveria Rama na ka ndihmuar shumë, Kurti po vepron me inate politike

Prishtinë | 30 Sht 2025 | 22:03 | Nga Ekonomia Online

Më 17 tetor, në sheshin “Skënderbej” të Tiranës, do të zhvillohet një protestë mbarëkombëtare në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po gjykohen në Gjykatën Speciale në Hagë.

Protesta është thirrur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), e cila ka organizuar më herët tubime në Prishtinë dhe Hagë.

Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, deklaroi se protesta në Tiranë është e domosdoshme, pasi “gjeneza e UÇK-së është në Shqipëri”, duke kujtuar rolin e Shqipërisë në formimin e ushtrisë në vitet ’90.

Në emisionin “Tema e Ditës” në RTSH me gazetarin Arbër Hitaj, Gucati kritikoi qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Albin Kurti se për “inate politike” nuk po bënë aq sa duhet për të akuzuarit.

Ai falënderoi qeverinë shqiptare për mbështetjen e vazhdueshme dhe veçanërisht kryeministrin Edi Rama, i cili ka ngritur çështjen në Këshillin e Evropës.

Gucati theksoi se Gjykata Speciale po devijon nga akuzat fillestare dhe po përpiqet të njollosë luftën e UÇK-së, duke e trajtuar si organizatë kriminale.

Ai hodhi poshtë akuzat për krime lufte, duke i cilësuar si propagandë serbe dhe ruse, dhe tha se “nuk e kemi as zakon, as në gjenezë të vrasim gra, pleq apo fëmijë”.

Gucati kritika ndaj qeverisë së Kosovës

Në emisionin “Tema e Ditës” me gazetarin Arbër Hitaj, Gucati kritikoi qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Albin Kurti se po bën shumë pak, ndërsa Shqipëria po angazhohet më shumë në mbrojtje të çlirimtarëve.

“Kosova nuk është duke bërë aq sa duhet për njerëzit e vet që i ka në gjykatë vetëm për inate politike. Kur bëhet fjalë për shtetin, UÇK-në dhe kombin, Albin Kurti inatet politike duhet t’i lëri anash”- u shpreh ai.

Leart Kola: Po gjykohet historia e shqiptarëve

Analisti Leart Kola theksoi se procesi gjyqësor nuk ka të bëjë vetëm me disa individë, por me përpjekjen për të njollosur themelin e shtetit të Kosovës.

“Aty po gjykohet historia shumë e rëndësishme e shqiptarëve. Sepse aty jo rastësisht janë mbledhur ata njerëz, jo rastësisht janë trajtuar në atë formë ata njerëz, për vetë faktin që ajo gjykatë dëshiron që të prishë themelin e shtetit të Kosovës”

Ai tha se “Gjykata Speciale po tenton të shpallë UÇK-në si organizatë terroriste, duke vënë në dyshim ekzistencën e shtetit të Kosovës”.

“Ata duan që duke nxjerrë organizatë kriminale UÇK-në, që është thelbi i ndërtimit të Kosovës, duan që të ngrejnë dyshime për ekzistencën e vetë shtetit të Kosovës.”

Sipas tij, procesi ka mungesë transparence dhe seriozitet, ndërsa vendimi përfundimtar pritet në qershor ose korrik të vitit të ardhshëm.

“Procesi nuk ka pikë serioziteti në vetvete, por ajo që trajtohet aty është tepër serioze për të gjithë shqiptarët.”

Në përfundim, Hysni Gucati i kanë bërë thirrje të gjithë shqiptarëve, pa dallim që të bashkohen në protestën paqësore më 17 tetor në Tiranë.

“Kjo nuk është thjesht çështje e disa individëve, por është çështje e dinjitetit, sakrificës dhe e vërtetës historike,” u shpreh ai. (RTSH)

Të ngjashme