Mark Brnovic (Brnovich), nominimi i të cilit për postin e ambasadorit të ShBA-së në Serbi u tërhoq, tha se nominimi i tij nuk ishte i dëshiruar nga “deep state”.
Në një intervistë për median në gjuhën serbe, “Serbian Times”, ai ka falënderuar presidentin Donald Trump për nominimin, teksa ka thënë se ky anulim mund t’i japë atij më shumë kohë të merret me familjen.
“Dua të falënderoj presidentin (Donald Trump) për nominimin, por ndërsa procesi u zvarrit, u bë e qartë se burokracitë e ‘deep state’ nuk duan që dikush me prejardhjen time politike, etnike dhe fetare të shërbejë në Serbi. Në fund të fundit, besoj se të qëndrosh pranë familjes dhe miqve në Arizona dhe të gjesh mundësi për të luajtur një rol më të madh në politikën e brendshme është rruga më e mirë në këtë kohë”, tha ai, transmeton Klankosova.tv.
Trump nominoi Brnovicin, një republikan dhe ish-prokuror i përgjithshëm dhe kandidat për senator nga Arizona, për ambasador në Beograd në fund të marsit.
Edhe pse nominimi arriti shpejt në Komitetin e Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, Brnovic nuk u paraqit para organit që konfirmon emërimet.
Administrata e Presidentit të ShBA-së tërhoqi nominimin e Marko Brnovic për ambasador në Serbi dje, sipas një vendimi të publikuar në faqen e internetit të Komitetit të Senatit të SHBA-së për Punët e Jashtme.
Arsyet për tërheqjen e emërimit të Brnovicit nuk u bënë të ditura.
ShBA-ja nuk ka pasur ambasador në Beograd që nga janari i këtij viti, kur Christopher Hill la pozicionin pas kthimit të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë.
Çka është “deep state”?
Shprehja “deep state” (në shqip shpesh përkthehet si “shteti i thellë”) përdoret për të përshkruar idenë se brenda një shteti ekziston një rrjet i fshehtë ose joformal njerëzish dhe institucione të fuqishme (p.sh. ushtria, shërbimet e inteligjencës, burokracia, bizneset e mëdha), të cilët veprojnë në prapaskenë për të ndikuar ose kontrolluar politikën dhe vendimmarrjen, edhe pa u zgjedhur nga populli.
Me fjalë të tjera: është teoria se jo gjithmonë qeveria e zgjedhur zyrtarisht është ajo që ka fuqinë e vërtetë, por prapa saj fshihet një “rrjet i padukshëm” që i merr vendimet.
Në përdorim të përditshëm, shpesh ka një ngjyrim konspirativ – njerëzit e përdorin për të shpjeguar pse vendimet politike duken të manipuluara ose të kontrolluara nga forca të padukshme.