Dëshmitarët e mbrojtjes në rastin e ish-krerëve të UÇK-së rikthehen nga 27 tetori

Prishtinë | 06 Tet 2025 | 09:40 | Nga Ekonomia Online

Procesi gjyqësor kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të vazhdojë me seanca nga data 27 tetor.

Në to do të paraqiten ende dëshmitarë të mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi, të cilët pritet të jenë figura ndërkombëtare me histori angazhimi në Kosovë gjatë luftës ose menjëherë pas saj.

Deri më tani, në mbështetje të mbrojtjes kanë dëshmuar: James Rubin, ish-zëdhënës i Madeleine Albright; Paul Williams, këshilltar i delegacionit të Kosovës në Rambuje; John Duncan, ish-këshilltar i Komandantit të NATO-s Wesley Clark; dhe Jock Covey, që ishte zëvendëskryeadministrator i Kosovës nga viti 1999 deri më 2001.

Dëshmitarët e mbrojtjes do të dëgjohen deri nga mesi i nëntorit, eventualisht deri në fundin e tij. Palët do të kenë afat deri në muajin dhjetor për të dorëzuar me shkrim fjalët përfundimtare, ndërsa në fillim të vitit të ardhshëm pritet vendimi përfundimtar i Panelit të Gjyqtarëve.

Të ngjashme