Lladrovci: Mijëra euro në ditë për shpifje kundër meje – ftoj organet e sigurisë të veprojnë

Prishtinë | 06 Tet 2025 | 15:02 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar ashpër përmes një postimi në Facebook ndaj, siç thotë ai, një fushate të organizuar shpifjesh dhe lajmesh të rreme që po zhvillohet kundër tij në rrjetet sociale.

Sipas Lladrovcit, pas 11 shtatorit janë aktivizuar dhjetëra faqe dhe profile të rreme që, përmes lajmeve të sponsorizuara, po synojnë të manipulojnë opinionin publik.

“Në kohë reale, nga 11 shtatori e këndej, dhjetëra faqe lëshojnë lajme të rreme, lajme të nxjerra nga konteksti dhe të prera me qëllim të manipulimit të opinionit, me pagesa për çdo postim kundër meje,” shkroi ai.

Ai thekson se profilet e rreme paguajnë qindra euro në ditë për postime shpifëse, ndërsa ka pohuar se numri i telefonit që porosit këto sponsorizime është i njohur.

“Këto profile të rreme, paguajnë qindra euro për çdo postim, në bazë ditore. Numri i telefonit që bën porosinë e sponsorizimit, është i njohur për mua dhe bën pagesa për profile (media) të rreme,” shtoi Lladrovci.

Lladrovci ka akuzuar gjithashtu krerët e PDK-së dhe vetë kandidatin kundërshtar për përfshirje në këtë fushatë denigruese.

“Përpos profileve të rreme, në pagesa me profile reale kundër meje, është edhe pagesa nga krerët e PDK-së me aktivistët jashtë Drenasit në përkrahje të kandidatit, si dhe vet kandidati me dhjetëra profile tjera reale.”

Ai shprehet i bindur se, pavarësisht përpjekjeve për ta devijuar vullnetin qytetar, “humbja për keqbërësit dhe bedelët është e sigurt”.

“Në këtë ambient, me gjithë këto shpifje, qëllimi final është devijimi i vullnetit qytetar për ditën kur keqbërësit e bedelët do të marrin dënimin e merituar, më 12 tetor,” ka deklaruar ai.

Në fund, ai ka bërë thirrje për reagim institucional.

“Ftoj organet e sigurisë të ndërmarrin masat e nevojshme për identifikimin e shkelësve të ligjit, reagimin e KPM-së ndaj mediave elektronike që përhapin dezinformata dhe shpifje si dhe PZAP-në, të verifikojë burimin e financimit të këtyre faqeve e profileve të rreme që po përdoren në fushatë me qëllim të denigrimit të profilit dhe personalitetit tim në kohë fushate.”

Të ngjashme