Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, po merr pjesë në Forumin e IV-të të Kryeprokurorëve të Përgjithshëm të Ballkanit, që po mbahet në Sofje të Bullgarisë, me ftesë të Kryeprokurorit të Bullgarisë, Borislav Sarafov dhe atij të Turqisë, Muhsin Şentürk.
Gjatë fjalës së tij, z. Kelmendi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në luftën kundër krimeve transnacionale dhe nevojën për koordinim të përbashkët për të përballuar sfidat ndërkombëtare të sigurisë. Ai prezantoi arritjet e Prokurorisë Speciale të Kosovës në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, si dhe progresin në sekuestrimin e pasurive të paligjshme.
Në forum po marrin pjesë përfaqësues të lartë të drejtësisë nga vendet e Ballkanit dhe më gjerë, përfshirë edhe kryeministrin dhe ministrin e Drejtësisë së Bullgarisë, si dhe presidentin e Eurojust-it dhe përfaqësues nga Shoqata Ndërkombëtare e Prokurorëve.