Qeveria ndau nga 100 euro për studentët, Krasniqi: Përpjekje e hapur për blerje vote

Prishtinë | 07 Tet 2025 | 16:43 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka reaguar ndaj vendimit të fundit që ka miratuar sot Qeveria e Kosovës. Vendimi ka të bëjë me ndarjen e 100 eurove si mbështetje për studentët.

Në një postim në Facebook, Krasniqi u shpreh se ky vendim është përpjekje për blerje vote.

“Kryeministri në largim, i cili tashmë ka humbur çdo legjitimitet, duket se po e përjeton panikun nga humbja e madhe që e pret të dielën. Pas katër vitesh dështimesh në qeverisje dhe degradimi të sistemit arsimor, ai sot vendosi të ndajë 26 milionë euro, nga 100 euro për student, vetëm pesë ditë para zgjedhjeve. Kjo nuk është mbështetje e sinqertë për studentët, por përpjekje e hapur për blerje vote.
Megjithatë, ky është një tjetër gjykim i gabuar për studentët kosovarë, sepse ata as nuk blihen e as nuk shiten”, tha ai.

Krasniqi i bëri thirrje studentëve që në ditën e zgjedhjeve ata ta ndëshkojnë me votë Kryeministrin Kurti.

“Unë i ftoj studentët që t’i marrin ato mjete, që janë nga taksat e familjeve të tyre, por të dielën ta përdorin votën e tyre për ta ndëshkuar një kryeministër që ka rrezikuar të ardhmen e tyre dhe të shtetit”, shtoi ai.

Të ngjashme