Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, kritikoi kryeministrin në detyrë për vendimin e qeverisë që të ndajë 26 milionë euro për studentë, duke e quajtur përpjekje e hapur për blerje vote.
Postimi i plotë:
Kryeministri në largim, i cili tashmë ka humbur çdo legjitimitet, duket se po e përjeton panikun nga humbja e madhe që e pret të dielën.
Pas katër vitesh dështimesh në qeverisje dhe degradimi të sistemit arsimor, ai sot vendosi të ndajë 26 milionë euro, nga 100 euro për student, vetëm pesë ditë para zgjedhjeve. Kjo nuk është mbështetje e sinqertë për studentët, por përpjekje e hapur për blerje vote.
Megjithatë, ky është një tjetër gjykim i gabuar për studentët kosovarë, sepse ata as nuk blihen e as nuk shiten.
Unë i ftoj studentët që t’i marrin ato mjete, që janë nga taksat e familjeve të tyre, por të dielën ta përdorin votën e tyre për ta ndëshkuar një kryeministër që ka rrezikuar të ardhmen e tyre dhe të shtetit.